Driton Kuçi nga BDI ka thënë se kemi parë aleanca të ndryshme, (duke aluduar në ASH-në dhe BESËN), por janë asgjësuar ditën e zgjedhjeve, pra ata nuk u bashkuan kur humbej mandati shqiptar më 2016.

“BESA e LR PDSH nuk janë bashkuar në zgjedhjet lokale më 2017, kishin humbje të këshilltarëve shqiptarë, por ne e përshëndesim bashkimin e tyre, pra konsiderojmë se është joparimor. Ku e di Agon Ferati programin e Bilall Kasamit apo Fadil Zendeli atë të Aleancës, pra është një koalicionim për të shpëtuar kokat e liderëve.

Koalicionimi mes VMRO-së dhe BESËS ishte për mosvotimin e Zvërlevskit, për mosvotimin e gjuhës shqipe dhe në këtë katrahurë duan ta ngrehin edhe Aleancën.  Aspak nuk frikohemi, sepse 4 vite i kemi fituar dy zotërinjtë dhe asokohe BDI dhe kandidatët tonë, i kanë sfiduar edhe atë kohë. Më 29 tetor të dy liderët do shkojnë në histori”, ka thënë Kuçi në debatin në Zig- zag në Art Channel, transmeton Aktuale.mk.