Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) siç kumtoi në mbledhjen e sotme kryetari i Komisionit, Aleksandar Çiçakovski, zyrtarisht i pret vendimet e Gjykatës Administrative për paditë kundër ankesave nga partitë për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, pas çka do të mbajë mbledhje në të cilën do të kumtohen rezultatet përfundimtare për komunat për të cilat pati ankesa nga partitë.

Gjykata Administrative në ueb faqen tashmë i kumtoi vendimet. Pranoi një nga 24 paditë e VMRO-DPMNE-së për anulim të votimit në një vendvotim në komunën e Sarajit për anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit, por këshilli gjyqësor solli vendim me të cilin e refuzon ankesën e VMRO-DPMNE-së. Në vendimin e publikuar në ueb-faqe, Gjykata thekson se KSHZ gabimisht ka konstatuar se ankesa e VMRO-DPMNE-së ka të bëjë me votimin për kryetar të Qytetit të Shkupit, ndërkaq që është bërë fjalë për këshill të Qytetit të Shkupit. Gjykata Administrative, megjithatë, nga procesverbalet origjinale ka konstatuar se KSHZ ka vendosur drejtë për ta refuzuar ankesën sepse nga dëshmitë është e qartë se nuk është shkelur Kodi zgjedhor.

Në vendimin e këshillit gjyqësor të Gjykatës Administrative shkruan se “rezultatet nga votimi rreth listave të kandidatëve për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit të Qytetit të Shkupit, për vendvotimin 2461 – komuna e Sarajit, konfirmohen”.

Sipas informatave të KSHZ-së, në bazë të kësaj nuk do të ketë rivotim në vendvotimin në Saraj, ndërkaq rezultatet për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale mbeten përfundimtare përveç për përbërjen e kësaj komune bëhen përfundimtare edhe për komunat e tjera ku pati ankesa si Qyteti i Shkupit, Radovishi dhe Gostivari. Megjithatë, në Saraj do të ketë rreth të dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës.

Rreth të dytë të zgjedhjeve do të ketë në 35 komuna në 1.517 vendvotime. Nga komunat e Shkupit rreth të dytë për kryetar të komunës do të ketë në Gazi Babë, Kisella Vodë, Butel, Shuto Orizarë, Çair dhe Saraj.

KSHZ në mbledhjen e sotme miratoi udhëzim për votim në rrethin e dytë. Ky udhëzim sillet sepse votimi është vetëm për kryetar të komunës dhe votohet vetëm me një fletëvotim. Procedura për votim mbetet e njëjtë në pajtim me Kodin zgjedhor.

Komisioni gjithashtu pranoi udhëzim me të cilin u bëjnë thirrje qytetarëve, dokumenteve të të cilëve për identifikim personal u ka skaduar afati mes dy raundeve zgjedhore të nxjerrin të reja sepse, edhe pse janë në Listën zgjedhore, nuk do të mund të votojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve. Sipas kryetarit të KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski, me këtë nuk kufizohet e drejta e zgjedhjes për qytetarët sepse Komisioni u bën thirrje publike qytetarëve të cilëve u ka skaduar validiteti i letërnjoftimit dhe pasaportës të nxjerrin të reja.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni do të mbahet më 29 tetor.