Kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH) Visho Ajazi Lika ka dhënë dorëheqjen, pas përfundimit të mandatit të tij në krye të këtij shërbimi, publikuan sot mediat shqiptare.

Kreu i qeverise shqiptare Edi Rama ka zhvilluar sot një takim 30 minuta në Preisdencë me kreun e shtetit shqiptar Ilir Meta ku sipas burimeve zyrtare, ai i paraqiti Metës propozimin për lirimin nga detyra të kreut të SHISH Visho Ajazi Lika dhe emërimin në këtë detyrë të zv. drejtorit të shërbimit, Helidon Bendo.

Propozimi i Edi Ramës për lirim dhe emërim në krye të SHISH erdhi pas dorëheqjes nga detyra të këtij shërbimi, Visho Ajazi Lika, mandati i të cilit ka përfunduar disa javë më parë.

Njoftimi i zyrës së shtypit të Kryeministrisë bën të ditur se kreu i qeverisë e mirëpriti këtë dorëheqje dhe falenderoi Visho Ajazi Lika për kontributin e tij.

Visho Ajazi Lika mori drejtimin e SHISH, 5 vjet më parë, në gusht 2012.
Burime jozyrtare njoftuan se drejtori i Shërbimit Informativ e ka paraqitur që te premten dorëheqjen te Presidenti i Republikës, Ilir Meta, por motivet e dorëheqjes ende nuk dihen.

Visho Ajazi Lika u emërua në postin delikat 5 vite më parë, në gusht të 2012-ës, por ligji përcakton se mandati i drejtorit të Shërbimit Informativ është i pakufizuar, duke lënë vetëm dy opsione për largimin e tij: ose me vendimmarrje personale të drejtorit të SHISH-it, ose me konsensus Kryeministri-Presidencë, citojnë mediat.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes se grupit parlamentar të PD-së, ka folur ndër të tjera edhe për motivet që e shtynë kreun e SHISH-it, Visho Ajazi Lika drejt dorëheqjes.

“Dhe unë e kam konstatuar të njëjtën gjë, mundësinë e presioneve por një gjë është e sigurt që një SHISH, që harton raporte për përfshirjen e Policisë në trafikun e drogës është halë në sytë e pushtetit dhe Edi Ramës. Nuk kam konkluzion tjetër veç presionit politik. Mendoj se po bëhet gjithçka për të fshehur aferën e Tahirit. Bota nuk do të lejojë që Shqipëria të kthehet në një shtet të dështuar të zotëruar nga bandat. Kjo çështje nuk do të mbyllet por do të hapet në ditët në vijim”, tha Basha.