Zgjidhje praktike dhe estetike në bulevardet, rrugët, trotuaret dhe të gjitha ambientet për kalimtarët dhe automjete ofrohen në Strategjinë për zhvillimin e Çairit, e prezantuar nga kandidati për kreun e komunës Çair, Visar Ganiu.

Ndërtimi i rrethrrotullimeve, është një prej projekteve kryesore të këtij dokumenti. Përkatësisht rrethrrotullimi në kryqëzimin e dy bulevardeve “Xhon Kenedi” dhe “Cvetan Dimov”, si edhe ai në  bulevardin “H.T Karposh”, janë disa prej projekteve kryesore të kontratës. Ndërtimi i rrethrrotullimit pikërisht në këto zona është një prej zgjidhjeve afatgjata për të lehtësuar komunikacionin rrugor, lëvizjen e automjeteve njëherazi dhe për të sistemuar estetikisht rrugët dhe hapësirat përreth. 

Projekti është vetëm një prej disa pikave që kandidati Ganiu synon të realizojë gjatë mandatit  të ardhshëm katërvjeçar. Në dokumentin “Kontrata 2017-2021”, me gjithsej 11 shtylla për zhvillimin e zonës, Infrastruktura është kapitulli ku renditen një sërë projektesh që synojnë intervenime në rrjetin rrugor aktual, hidroinfrastrukturë, krijimin e parqeve, sistemimin e kanalizimeve atmosferike, fekale dhe rrjetin ujor.

“Programi i planit të komunës së Çairit përfshin revitalizimin Komunës dhe rikonstruktimin  e infrastrukturës ekzistuese të vjetruar, si edhe realizimi i tërësishëm i pozicioneve të reja të nevojshme. Rrjeti rrugor i një mjedisi qytetar përbën themelin bazë të fluiditetit dhe qëndrueshmërisë së njësisë së qytetit. Prandaj edhe mirëmbajtja dhe realizimi i rrjetit të planifikuar rrugor është  një prej shtyllave kryesore të rregullimit të komunës”, shkruhet ndër të tjera në kapitullin Infrastruktura në Kontratën  e Ganiut. Mirëmbajtja dhe ndërtimi i rrjetit të vjetër dhe atij që ri që planifikohet të realizohet do të bëhet në disa pjesë, si rikonstruktimi i rikonstruktimi i rrugëve dhe trotuareve në tre rrugë – “Ordan Çopella”, “Avram Pisevski” dhe “Ismail Kadare”, si edhe zgjerimin e bulevardit “Nikolla Karev”. 

Po ashtu Strategjia për zhvillimin katërvjeçar të Çairit parashikon edhe ndërtimin e një regjimi të përhershëm të komunikacionit rrugor përmes një orientimi të ri të rrugëve nga rrugë me dy kalime, në vetëm njëkalimëshe.  Ndërsa në dy bulevardet “Cvetan Dimov” dhe “Nikoll Karev” planifikohet ndërtimi i mureve anësore mbrojtëse dhe ndarëse. Krijimi i hapësirave të sigurta edhe për biçikletat dhe kalimtarët, por edhe lehtësimi i trafikut rrugor parashikohen të sigurohen me anë të krijimit të shtigjeve të kalimit për biçikletat, ndërtimin e tre parkingjeve të hapura në bulevardet “Xhon Kenedi” (pas bllokut të ndërtesave) dhe “Nikoll Karev”, si edhe në kryqëzimin e “Xhon Kenedi” dhe “Qemal Sejfulla”. 

Sa i takon pjesës së ndërtimit dhe revitalizimit të Infrastrukturës pjesë e projekteve të tjera janë edhe ato të sistemimit dhe mirëmbajtjes së kanalizimeve të ujërave atmosferikë, ujërave të zeza, si edhe hortikultura. Programi katërvjeçar parashikon krijimin e disa sipërfaqeve me gjelbërim, rregullimin e dy parqeve në Gazi Babë dhe Çair të cilat do të mirëmbahen përmes ujitjeve automatike nga  puset.