Ministria e Arsimit dhe Shkencës sot i publikoi konkurset për ndarjen e bursave për nxënësit në shkollat e mesme private dhe publike në Republikën e Maqedonisë për vitin shkollor 2017/2018. Bëhet fjalë për katër kategori të bursave në vlera të ndryshme të cilat do t’ju ndahen nëntë muaj gjatë vitit shkollor.

Njëqind e pesëdhjetë bursa në vlerë prej 2.970 denarë në muaj MASH në vitin shkollor 2017/2018 do t’ua ndajë nxënësve-sportistëve të talentuar. Pesëdhjetë bursa në vlerë prej 2.970 denarë në muaj dedikohen për nxënësit e talentuar.

MASH-i do të ndajë edhe 400 bursa për mbështetje sociale të nxënësve nga shkollat e mesme në vlerë prej 2.200 denarë në muaj, si dhe 50 bursa për nxënësit me nevoja të veçanta në vlerë prej 2.750 denarë.

Në konkurset e publikuara në portalin e internetit http://konkursi.mon.gov.mk theksohen kushtet e nevojshme dhe është vendosur fletëparaqitja elektronike e cila duhet të plotësohet. Konkursi është i hapur prej sot dhe do të zgjasë deri më 5 nëntor të vitit 2017, përveç për kandidatët të cilët aplikojnë për bursa për nxënësit me nevoja të veçanta.