Një burrë gjerman 53-vjeçar ka pranuar se ka helmuar ushqimin e fëmijëve dhe ka kërcënuar se do të helmojë edhe produktet e tjera ushqimore nëpër dyqane nëpër Evropë, si pjesë e planit të tij të shantazhit, kanë njoftuar autoritetet gjermane.

“I dyshuari ka pranuar akzuat gjatë dhënies së dëshmisë në gjykatën e Ravensburg”, kanë thënë autoritetet gjermane, duke potencuar se ai ka pranuar se, përveç pesë kavanozave me ushqim fëmijësh të cilat i ka helmuar, për të cilat e ka informuar policinë, nuk ka helmuar asnjë produkt tjetër në supermarket, raporton “AFP” .

I dyshuari, që përshkruhet si person me “probleme mendore”, është arrestuar pasi që policia gjermane gjatë kësaj jave ka informuar opinionin se shantazhuesi ka kërkuar miliona euro në mënyrë që të mos helmonte produktet në supermarkete.

Shantazhuesi, sipas policisë, ka helmuar pesë kavanoza me ushqim fëmijësh dhe e ka njoftuar policinë për dyqanin ku ndodhen ato në qytetin Fridrihshafen.

Duke marrë informacione nga qytetarët, pasi kishte lëshuar njoftimin me përshkrimin e të dyshuarit, policia e ka arrestuar burrin 53-vjeçar në afërsi të Tubingenit,  rreth dy orë vozitje larg dyqanit ku gjendeshin kavanozat me ushqim të helmuar.

Në kavanozat me ushqim fëmijësh janë gjetur kemikalie helmuese.
Në ministrinë e gjermane për Mbrojtjen e Konsumatorit kanë thënë se është gjetur substancë toksike, në sasi të mëdha edhe vdekjeprurëse.

Autoritetet gjatë javës kanë njoftuar se disa kompani tregtare kanë marr e-maile, përmes të cilave shantazhuesi  ka kërcënuar se do të helmojë ushqimin, në dyqanet e tyre në Gjermani por edhe jasht vendit, në qoftë se nuk i paguajnë mbi 10 milionë euro.