Komiteti i Helsinkit kumtoi se gjatë procesit zgjedhor janë vërejtur parregullsi gjatë votimit të personave të verbër dhe personave me shikim të dëmtuar.

Nga Komiteti i Helsinkit informojnë se tek ata kanë arritur dy denoncime nga persona të kësaj kategorie, të cilët thanë se kanë pasur tentim të pasukseshëm që ta realizojnë këtë të drejtë votuese në pajtim me mënyrën e re të votimit për personat e verbër dhe personat me shikim të dëmtuar.

“Në pajtim me Udhëzimin e ri për votim të personave të verbër dhe personave me shikim të dëmtuar, të miratuar më 28 shtator, personave të verbër dhe personave me shikim të dëmtuar u jepet mundësi të votojnë duke shfrytëzuar shabllon të Alfabetit Braj, ku janë shtypur të dhënat e fletvotimit. Shablloni është përpiluar me qëllim që çdo person i verbër, respektivisht person me shikim të dëmtuar të mund të votojë në mënyrë të pavarur dhe të fshehtë. Personave të cilët i kanë paraqitur parregullsitë, nuk u është mundësuar ta realizojnë të drejtën e tyre zgjedhore në pajtim me mënyrën e re të votimit, pasi siç thanë, shabllonet e posaçme të Alfabetit Braj ende nuk kishin arritur në dy vendvotime të caktuara”,  thuhet në kumtesë.

Denoncimet janë pranuar rreth orës 8 në mëngjes, potencojnë nga Komiteti i Helsinkit dhe shtojnë se në pajtim me nenin 91 nga Kodi Zgjedhor, “Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve materialin zgjedhor e dorëzon deri te komisionet komunale zgjedhore më së voni në afat prej 72 ditëve para ditës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve”, ndërsa në pajtim me nenin 92 “Komisioni Komunal i Zgjedhjeve është i obliguar që një ditë para ditës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve ta dorëzojë materialin zgjedhor në këshillat zgjedhore në territorin e Republikës së Maqedonisë”.

Në rastet konkrete votuesit nuk kanë qenë në mundësi ta realizojnë të drejtën e tyre zgjedhore në ditën e zgjedhjeve, që është shkelje e dispozitave të cituara ligjore. Më vonë u informuam se shablloni u dorëzua deri te vendet zgjedhore rreth orës 8:30, respektivisht një orë e gjysëm pas hapjes së vendvotimeve  për votim”, theksojnë nga Komiteti i Helsinkit.

Prej aty shtojnë se mes denoncimeve të tjera, kanë marrë ankesë nga një person i punësuar në Ndërmarrje publike, i cili ka thënë se nuk mund ta realizojë të drejtën e votimit, pasi ka qenë në punë gjatë tërë ditës zgjedhore, pa mundësi për ndërrim.

Komiteti i Helsinkit informoi se rastin e kanë paraqitur te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, me qëllim që të bëhet mbikëqyrje për situatën faktike të rastit konkret nga ana e inspektorit të punës. Komiteti i Helsinkit u njoftua se Ministria dhe Inspektori i Punës në mënyrë adekuate kanë vepruar dhe personit iu mundësua ta realizojë të drejtën e tij të votimit.

Në Komitetin e Helsinkit janë drejtuar më shumë qytetarë, të cilët kanë paraqitur parregullsi lidhur me Listën zgjedhore, në kuptim të asaj se ende ekzistojnë votues që nuk ekzistojnë në adresat e tyre, si dhe raste për fshirjen nga evidenca e votuesve në Listën zgjedhore të qytetarëve, të cilëve u është e njohur baza e fshirjes së tyre nga lista.

Me paraqitjet e tilla krijohet përshtypje se sërish edhe këto zgjedhje u mbajtën në kushte të Listës së parashtruar zgjedhore. Komiteti i Helsinkit dërgon rekomandim për bashkëpunim më të madh dhe koordinim mes MPB-së dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në drejtim të gjetjes së mekanizmit efektiv për pastrimin e Listës zgjedhore dhe përgatitjen e Udhëzimit për veprim për fshirjen e votuesve  nga Lista zgjedhore, i cili do të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët.