Anëtari i Komisionit të ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Florim Isufi ka folur për punën që është duke e bërë ky komision për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Isufi ka thënë për lajmi.net se ndryshimi i deklaratave të palës malazeze pas formimit të komisionit të ri kosovar është një sinjal se ata dinë diçka dhe se nuk do të pajtohen me të gjeturat e komisionit të ri.

“Deklaratat e ndryshuara të malazezëve na bëjnë më serioz në punën tonë, në mënyrë që të nxjerrim të gjitha informatat e duhura për të bindur edhe palën malazeze se diçka ka shkuar keq. Ju po e shini deri në krijimin e këtij komisioni, pala malazeze ka qenë jashtëzakonisht e gatshme për bashkëpunim dhe e hapur me rishiku marrëveshjen, ndërsa në momentin kur u formua ky komision, ata e ndryshuan rrënjësisht qëndrimin. Kjo me siguri do të thotë që ata kanë diçka njohuri që nuk donë të pajtohen me të arriturat e reja. Të shohim tani”, ka deklaruar Isufi.

Ai më tej ka thënë se ende nuk mund të flitet për afate kohore se kur ky komision do të dal me një raport final sa i përket Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Nuk mund themi asgjë sa përket afateve kohore se kur do të dalim me një raport final. Ne jemi duke punuar, jemi duke e sistematizuar materialin, duke kërkuar materiale shtesë, ka shumëçka që duhet të analizohet dhe tek pastaj të bëhet një raport final. Kështu që nuk e kemi ende në agjendë të diskutimit periudhën kohore se deri kur duhet ta përfundojmë punën… Pra nuk kemi të përcaktuar as me ligj dhe as me rregullore të veçantë periudhë kohore se deri kur duhet të përgatitet raporti. Por dihet se sa më parë që kryhet kjo, aq më mirë është. Shpresojmë se do të kryejmë shumë shpejt, por duhet të bëhen analiza të mira për shkak të opinionit të krijuara se kjo çështje është e mbyllur, se kjo nuk duhet të diskutohet e tjera, është shprehur Isufi për lajmi.net.

Në fund, ai ka thënë se ky komision do të dal në terren për të bërë verifikime.

“Do të dalim në terren, jo vetëm për takim me qytetarë, por edhe për verifikim të dokumentacioneve të ndryshme. Dhe nuk do të thotë se kushtet klimatike do të jenë pengesë. Kur të kryhen punët kabinetike, do të dalim edhe në terren për verifikime”, ka përfunduar Isufi.

Përndryshe, komisioni i ri për demarkacionin është emëruar pas formimit të Qeverisë Haradinaj me qëllim që evidentohet gabimet e lëshuara nga komisioni paraprak.

çështja e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi mbetet kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën.