Koalicioni tashmë i konfirmuar midis partive BESA dhe LR PDSH u prezentua nga protagonistët si bashkim i votës shqiptare, por në fakt, beteja e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale nuk është një betejë ndëretnike, por garë midis dy kandidatëve shqiptar.

Le të përkujtojmë që në Strugë Ziadin Sela garon kundër një shqiptari Ramiz Merko, në Tetovë, Bilalll Kasami kundër Teuta Arifit, në Çair, Zekirija Ibrahimi kundër Visar Ganiut, në Gostivar, Arben Taravari kundër Nevzat Bejtës, në Dibër, Arben Agolli kundër Ruzhdi Latës, në Zhelinë, Blerim Sejdiu kundër Fatmir Izairit, etj.

Idea e bashkimit të partive politike shqiptare është që ai bashkim të kapitalizojë votën shqiptare e jo të paraqet betejë ndërshqiptare politike.

Koalicionet e tilla duhet që të bëhen para zgjedhjeve në mënyrë që mos të humbasin mandatet shqiptare siç ndodhi në vitin 2016 kur shqiptarët humbën 9 mandate të deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë.

Për fat të mirë, elektorati shqiptar ka demonstruar emancipim të lartë votues duke i disciplinuar partitë politike shqiptare dhe duke mos lejuar që të mashtrohet, por përkundrazi ka imponuar vullnetin e vet kundrejt matematikave dhe kalkumimeve të politikanëve.

Prandaj, qytetarët shqiptar dhe të tjerë, le të votojnë për kandidatin më të mire për komunën e tyre duke lënë mënjanë romanticizmat dhe nacionalizmat e panevojshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.