Dy nënkryetarët e dy partive më të vogla shqiptare, Elmi Aziri i LR-PDSH-së dhe Afrim Gashi i Lëvizjes BESA, sot janë munduar të arsyetojnë marrëveshjen midis tyre pas dështimit të dielën, ndërsa kanë thënë se bashkëpunimi dhe mbështetja e ndërsjellë do të jetë në ato komuna ku kandidatë të tyre janë në balotazh me kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Konkretisht, mbështetja e BESËS ndaj LR-PDSH-së do të bëhet në pesë komuna, ndërsa partia e Selës do ta mbështet partinë e Bilall Kasamit në shtatë komuna.
E zbehtë ka qenë përgjigja e Azirit në pyetjen e gazetarëve se pse tani, kur rrezikohen të dyja partitë, u arrit kaq shpejtë koalicioni LR-PDSH-BESA, dhe jo në zgjedhjet e kaluara, kur opinioni kërkonte një bashkëpunim të ngushtë të opozitës shqiptare.
”Nuk duam të kthehemi në të kaluarën, sepse ajo është e kaluar.

Të gjitha pengesat në të ardhmen do t’i kalojmë…”, është arsyetuar Aziri, ndërsa ashtu sikurse ai, edhe Gashi i BESËS nuk ka dashur të komentojë akuzat e shefit të Shtabit në Çair, Bujar Osmani, se koalicioni LR-PDSH-BESA është koalicion për shpëtuar karriera politike. Aziri nuk i ka komentuar as deklaratat e liderit të partisë së tij, Ziadin Sela, i cili ditë më parë, akuzoi kryeministrin Zoran Zaev si mashtrues të shqiptarëve dhe bashkëpunëtor me, siç ka thënë ai, “krimin e partisë shqiptare në pushtet”. Në ndërkohë, edhe Aziri edhe Gashi i kanë ikur pyetjes nëse në komunat ku kanë fituar këshilltarë, konkretisht në Strugë, do të kenë mbështetje të ndërsjellë me VMRO-DPMNE-në e Gruevskit.

Nënkryetari i LR-PDSH gjithashtu është munduar t’i ik edhe pyetjes lidhur me akuzat që BESA i bën Qeverisë, pjesë e së cilës është edhe partia e Ziadin Selës, dhe vet Aziri si zëvendësministër.
”Nuk janë ashtu siç duken akuzat e Lëvizjes BESA, sepse kjo Qeveri është e re dhe transparente…”, ka thënë Aziri, duke rënë në kundërshtim me akuzat e veta ndaj Qeverisë së Zaevit gjithë këto ditë të fushatës parazgjedhore. Madje,ndryshe nga ditë më parë, kur vet Sela e konsideronte si antishqiptar vet Zoran Zaevin dhe nuk e dallonte nga Cërvenkovski, Gligorovi dhe Gruevski, bile aktivistë të LR-PDSH e quanin “vrasës” Zaevin në Reçicë të Vogël, Aziri para gazetarëve ka thënë se, sigurisht që ka dallime mes kryeministrit aktual të atyre të tjerëve.