Një surprizë e pakëndshme i ka trokitur në derë Valencias. Trajneri i klubit spanjoll, Marcelino, e ka denoncuar si “të padrejtë” faktin që Geoffrey Kondogbia do të duhet të shlyejë një dënim me dy ndeshje mungesë në Kupën e Mbretit, që i ka fillesat plot 4 vite më parë.

Kondogbia u ndëshkua me karton të kuq në një nga përballjet e gjysmëfinaleve kundër Atletico Madrid, gjatë sezonit 2012-2013, kohë kur luante me Sevillan.

Një dënim që sipas trajnerit të Valencias, duhej ta kishte shlyer sezonin pasardhës, kur ai ishte transferuar te Monaco, që militon në Ligue 1 të Francës.

Megjithatë, ai nuk shleu asnjë pezullim në kompeticionet franceze, kështu që ndëshkimi i tij “mbetet në fuqi” dhe është urdhëruar që të mungojë në përballjet e radhës ndaj Real Zaragozës, me atë të vajtjes sot dhe të kthimit më 29 nëntor.

Valencia njoftoi se “Federata spanjolle e Futbollit nuk ia kishte raportuar dënimin Federatës franceze të Futbollit, siç kërkohet nga FIFA, ndaj dhe nuk ishte shlyer gjatë periudhës së të luajturit me Monacon”.

Ky ndoshta mund të jetë rasti i parë dhe tejet i rrallë i një ngjarjeje të tillë, me Kondogbia që i është bashkuar Valencias nga radhët e Interit në formë huazimi njëvjeçar.