Presidenti kinez Xi Jinping do të ketë teorinë e tij politike, të paktën sipas agjencisë kineze të lajmeve “Xinhua”.

Teoria do të njihet me titullin “Mendimi i Xi Jinping” dhe ka 14 parime. Analistët thonë se ajo mund të bëhet pjesë e Kushtetutës së Partisë qeverisëse Komuniste, diçka që do të përforconte pozitën e Xi Jinping në krye të saj.

Vetëm dy udhëheqës më parë, Mao Zedong dhe Deng Xiaoping kanë pasur teori politike me emrat e tyre, e duket se Xi Jinping do t’i bashkohet këtij grupi ekskluziv.

Sipas agjencisë “Xinhua”, Partia Komuniste e Kinës ka krijuar teorinë që tiullohet “Mendimi i Xi Jinping” për socializmin me karakteristika kineze për epokën e re, një slogan mjaf i bukur sipas analistëve, por i vështirë për t’u përcaktuar saktë.

Ekspertët thonë se parimet bazë të teorisë ende misterioze, thuajse janë të parëndësishme, pasi njohja e një teorie politike me emrin e Xi Jinping është po aq e fuqishme nga pikëpamja simbolike, përcjell TCh.

Raportimi i “Xinhua” është bërë në gjuhën angleze dhe ende duhet konfirmuar nga mediet shtetërore në gjuhën kineze, por zor se “Xinhua” do ta kishte publikuar pa marrë miratimin e partisë.