Vetëm pak orë pasi Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtor ish-rektorin e UP-së Enver Hasani, në përfshirjen e skandalit të përkthimit të librave, një OJQ ka kërkuar përjashtimin e Hasanit nga ky universitet ku është i angazhuar si profesor i rregullt.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim në një reagim pohon se kanë marrë me shqetësim lajmin se profesori i rregullt Enver Hasani, është shpallur fajtor për afera korruptive gjatë kohës sa ka qenë rektor në UP, shkruan Gazeta Express.

“ORCA kërkon që Universiteti i Prishtinës menjëherë të fillojë procedurat për përjashtimin e tij nga institucioni publik pasi ka shkelur një sërë pikash të Kodit Etik të Universitetit të Prishtinës dhe rregulloreve të brendshme relevante. Ndaj të apostrofuarit për marrjen e masave, organet gjegjëse mund të thirren në nenin 5, nenin 6, nenin 13, nenin 14, nenin 15 dhe nenin 16 të Kodit të Etikës në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në reagimin e tyre.

“Më specifik rreth këtij rasti është neni 16, pika 2 e Kodit të Etikës në Universitetin e Prishtinës në të cilën shihet si shkelje etike “Kryerja e veprës penale, e cila ka çuar në dënim nga një gjykatë dhe e cila qartë e demonstron papërshtatshmërinë për të vazhduar si një anëtar i stafit akademik”. Edhe më saktë flet Rregullorja për Masat dhe Procedurat Disiplinore Ndaj Personelit Akademik të Universitetit të Prishtinës në nenin 6 të saj në pikat 1.11 “Dëmtimi i pronës së institucionit me paramendim”; 1.17 “Keqpërdorimi apo përdorimi i paautorizuar i fondeve të besuara publike për përfitime personale ose në interes të personave të tjerë”; 1.18 “Kryerja e aktiviteteve që bien ndesh me interesat e institucionit apo veprimet që e dëmtojnë institucionin”, thotë njoftimi i ORCA, që tutje bën të ditur se kjo OJQ pret që masat të jenë të shpejta, të sakta dhe të ashpra me qëllim të mbrojtjes së imazhit të Universitetit të Prishtinës.

Ndryshe, ish-rektori i UP-së Enver Hasani dhe dy të akuzuarit tjerë, Hakif Veliu, dhe Albert Rakipi, janë dënuar të mërkurën nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprën penale “mashtrim në detyrë” në aferën e njohur të përkthimit të librave në UP, gjatë kohës sa Hasani ishte në krye të Universiteti shtetëror.

Në aktgjykim, Hasanit i shqiptohen 1 vit burgim me kusht, të cilin mund të mos e ekzekutojë në rast se gjatë dy viteve të ardhshme nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Përveç 1 viti burgim me kusht për Enver Hasanin dhe nga gjashtë muaj për dy të akuzuarit e tjerë, Hakif Veliun dhe Albert Rakipin, të cilët dënimin mund ta lajnë me nga 10 mijë euro gjobë, Hasani dhe të dënuarit tjerë detyrohen t’ia kthejnë UP-së mbi 70 mijë euro kompensim.