Kombet e Bashkuara sot paralajmëruan se eksodi i rohinxhëve nga Mianmari në Bangladesh po vazhdon, gjashtë javë pas fillimit të arratisjeve masive të pjesëtarëve të kësaj pakice myslimane.

Më shumë se 515.000 rohinxhë deri më tani kanë arritur në Bangladesh nga provinca e Mianmarit, Rahin, duke ikur para operacioneve ushtarake të forcave të sigurisë të Mianmarit.

Operacionin ushtarak, KB-ja e përshkroi si spastrim etnik, ndërsa Mianmari insiston se ushtria e tij “lufton kundër terroristëve të cilët vrasin civilë dhe djegin fshatra”.

Nënsekretari i KB-së për çështje humanitare Mark Lukok e përsëriti apelin për ndërprerjen e krizës dhe tha se situata e tanishme është “e papranueshme”.

“Ardhja e refugjatëve nga Mianmari nuk ndalon. Atje ende ka qindra mijëra rohinxhë dhe dëshirojmë të jemi të gatshëm në rast se eksodi vazhdon”, tha Lukok në konferencën për shtyp në Gjenevë.

Sipas tij, në ditët në vijim përfaqësuesi zyrtar i KB-së duhet ta vizitojë Mianmarin.

Siç kumtoi KB-ja, çdo ditë në Bangladesh arrijnë mesatarisht nga rreth 2.000 rohinxhë, ndërsa përfaqësuesit zyrtarë të Mianmarit theksojnë se kanë tentuar t’i vrasin njerëzit të cilët nuk janë shtetas të këtij vendi për të mos shkuar në Bangladesh, por se megjithatë nuk kanë mundur t’i pengojnë.

Agjencia shtetërore e lajmeve të Mianmarit lajmëroi se një numër i madh i myslimanëve përgatiten ta kalojnë kufirin. Si arsye për largimin, sipas burimit të njëjtë, ata i theksojnë jetën e rëndë, problemet shëndetësore, pasigurinë dhe druajtjen se do të bëhen pakicë.