Udhëheqësi i Katalonisë, Carles Puigdemont, ka njoftuar se rajoni të cilit ai i prin ka fituar të drejtën për pavarësi nga Spanja, pas referendumit të zhvilluar sot.

Ai ka thënë se rezultatet e votimit, të cilat nuk janë shpallur ende, do t’i dërgohen parlamentit katalonas, për të vazhduar me procedurat e tjera.

“Ne, katalanët, e kemi fituar të drejtën për t’u dëgjuar në Evropë”, ka thënë Puigdemont, duke iu drejtuar direkt Bashkimit Evropian.

“Qytetarët e Katalonisë e kanë fituar të drejtën të kenë një shtet të pavarur”, është shprehur ai, në një konferencë për media, të mbajtur një orë para mesnatës, të dielën.

Më herët, edhe Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, ka mbajtur një konferencë për media, pas ngjarjeve të sotme në Kataloni

Rajoy ka deklaruar se “kurrfarë referendumi s’është mbajtur sot në Kataloni”.

Shumica e madhe e Katalonisë nuk ka marrë pjesë në referendumin e sotëm, dhe e kanë respektuar ligjin, ka shtuar ai.

Rajoy ka thënë po ashtu se shpreson se udhëheqësit katalanas tani do të heqin dorë nga objektivat e tyre separatiste, dhe do t’i kthehen normalitetit politik.

Qendrat e votimit për referendumin e kontestuar të Katalonisë janë mbyllur në orën 8, sipas kohës lokale, ndërsa kutitë me vota raportohet të jenë dërguar në vende sekrete, për numërim.

Gjithsej 761 njerëz janë lënduar në Kataloni sot, teksa policia spanjolle ka përdorur forcën në përpjekje për të penguar votimin në referendumin për pavarësi në Kataloni, kanë bërë të ditur zyrtarët katalanas të urgjencave.

Qeveria spanjolle ishte zotuar se do ta pengonte votimin, që ishte cilësuar i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

Zyrtarët policorë kanë penguar disa njerëz që të votojnë, dhe kanë konfiskuar fletëvotime dhe kuti me vota në qendrat e votimit.

Në kryeqytetin e rajonit, në Barcelonë, policia ka përdorur shkopinj gome dhe ka shtënë me plumba gome gjatë protestave pro-referendumit.

Ministria e Brendshme e Spanjës ka thënë se 12 oficerë policorë janë lënduar, dhe se tre persona janë arrestuar. Po ashtu, MB e Spanjës ka bërë të ditur se Policia ka mbyllur 92 qendra të votimit gjatë ditës.