Ashpërsohet fjalori i kryetarit të Lëvizjes BESA, njëherësh kandidat për Komunën e Tetovës, Bilall Lasami. Njëjtë sikurse krerët e VMRO-DPMNE-së dhe LR-PDSH-së, edhe Kasami e ka quajtur diktator kryeministrin Zoran Zaev.

I shqetësuar për koalicionin LSDM-BDI, Kasami ka thënë se kreu i LSDM-së me siguri e di se promovimi i kandidatëve të BDI-së dhe pjesëmarrja e tij në tubime partiake elektorale si “kryeministër” janë në kundërshtim me rekomandimet e Pribes për “çkapje të shtetit nga partitë”. Madje, në forme kërcënimi, ai ka thënë se “nuk do të lejojmë diktator të ri”!

Kasami në nje postim ne Facebook thekson se Zaevi, me eksperiencën e tij si kryetar komune i një partie opozitare do të duhej t’i kujtohej se veprimet e tij të dertanishme nuk kanë asnjë lidhshmëri me shtetin e të drejtës dhe sundimin e ligjit.

“Dhe në fund, Zoran Zaev duhet ta dijë se gjysma e regjimit të Nikolla Gruevskit me BDI u rrëzua edhe me vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët ose do të jenë të barabartë juridikisht në këtë shtet, ose ky shtet nuk do të ekzistojë fare. Sepse, kurrë nuk do të lejojmë edhe një diktator të ri”.