Rojat bregdetare japoneze njoftuan sot se 13 persona kishin humbur jetën pas përplasjes së ndodhur një ditë më parë mes një anije peshkimi kineze dhe një anijeje naftëmbajtëse nga Hong Kongu në brigjet e Japonisë.

“Polumbarët tanë kanë gjetur 12 trupat e personave që rezultonin të zhdukur brenda anijes”, theksoi një zyrtar i rojave bregdetare.

Më pas autoritetet theksuan se një prej katër personave të shpëtuar kishte humbur jetën menjëherë duke e çuar bilancin në 13 viktima dhe duke konfirmuar numrin e dhënë nga konsullata kineze në Osaka (perëndim të Japonisë) cituar nga stacioni publik CCTV.

Përplasja ndodhi rreth 400 kilometra në veri të ishujve Oki në Detin e Japonisë.