Prokuroria Themelore Publike Shkup e zgjeroi hetimin dhe arrestoi edhe pesë persona për sulmin ndaj deputetit Zijadin Sela, që ndodhi gjatë dhunës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill të këtij viti.

“Lidhur me procedurën që zhvillohet në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup për ngjarjet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë nga 27 prilli dhe sulmin ndaj Zijadin Selës, prokurori publik kompetent lëshoi Urdhër për zgjerimin e hetimit edhe për pesë persona të tjerë për vepër penale të kryer penale në tentativë për vrasje të kryer në bashkëpunim, nga neni 123 lidhur me nenin 19 dhe me nenin 22 nga Kodit Penal”, thonë nga Prokuroria e Shkupit.

Pesë personat, siç theksojnë nga Prokuroria, me kërkesë të prokurorit publik kompetent janë të privuar nga liria gjatë kryerjes së bastisjes në shtëpitë e tyre. Gjatë ditës, Prokuroria do të ndërmarrë veprime për vërtetimin e fakteve edhe ndaj personave të tjerë.

Paraprakisht, PTHP më 10 maj ngriti hetim për dy persona, babain dhe djalin, për të cilët është konfirmuar se kenë marrë pjesë në sulmin ndaj Selës më 27 prill. Të dyve iu caktua masa paraburgim.