Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, pasi shfrytëzoi të drejtën e votës në shkollën e mesme “Josip Broz Tito” në Shkup, tha se ai pret që këto zgjedhje lokale të zhvillohen “në një atmosferë të qetë, demokratike dhe të drejtë”.

Presidenti Ivanov, i cili ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe djali i tij, theksoi se shpreson që këto zgjedhje si të gjitha ato të mëparshmet të tregojnë pjekuri tek qytetarët. “Sot, kur zgjidhet qeveria lokale, qytetarët mund t’i zgjedhin ata të cilët në kohën e fushatave zgjedhore u kanë ofruar të përmirësojnë kushtet për jetën e tyre, sepse jeta reale është gjithmonë në nivel lokal dhe qytetarët presin që ata që do t’i zgjedhin, t’ua përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre”, deklaroi Ivanov.

Sot në orën 07:00 u hapën qendrat e votimit me çka filluan zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni. Të drejtën e votës deri në orën 19:00 në mbrëmje do të mund ta shfrytëzojnë 1.814.644 zgjedhës të cilët do të mund të votojnë për 260 kandidatët për kryetar komunash, si dhe për 6.627 kandidatët për këshilltarë komunal nga gjithsej 372 lista të ndryshme.

Raundi i parë i zgjedhjeve të gjashta lokale në Maqedoni do të realizohet në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa raundi i dytë është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor.

Fushata zgjedhore e cila zgjati 21 ditë, filloi më 25 shtator dhe përfundoi më 13 tetor në mesnatë. Sipas legjislacionit zgjedhor të Maqedonisë, të drejtën e votimit gjatë ditës së djeshme e shfrytëzuan të sëmurit, të pafuqishmit, të shpërngulurit, si dhe të burgosurit në institucionet ndëshkuese-përmirësuese.

Për monitorimin e këtyre zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka akredituar 5.011 vëzhgues vendor, 373 vëzhgues të huaj, 294 përthyes dhe 6 gazetarë të huaj. Më herët, KSHZ njoftoi se pjesëmarrja deri në orën 10:00, sipas të dhënave të marra nga komisionet komunale, në territorin e Maqedonisë ishte 8,91 për qind.

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni me anë të të cilave do të zgjidhet qeveria e re lokale për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2013.