Grupi terrorist, Shteti Islamik (ISIS), ka lëshuar një deklaratë të re, nëpërmjet së cilës këmbëngul se qëndron prapa sulmit të përgjakshëm në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku një amerikan i moshuar vrau 58 persona dhe plagosi qindra të tjerë.

ISIS më parë ka marrë përgjegjësinë për sulmin nëpërmjet degës së tij për propagandë, Amaq, por autoritetet amerikane kanë hedhur poshtë pohimet e grupit terrorist, duke thënë se sulmi në Las Vegas s’ka lidhje me ISIS’in.

Deklaratën e re për autorësinë e sulmit, ISIS e ka lëshuar nëpërmjet agjencisë Nashir, ka bërë të ditur BBC.

Sipas ISIS’it, sulmi në Las Vegas është kryer nga Abu Abdul-Barr al-Amriki, por grupi terrorist nuk ka ofruar kurrfarë provash për të mbështetur këtë pohim.

Policia amerikane thotë se sulmi i përgjakshëm është kryer nga Stephen Paddock, 64-vjeçar, ndërsa FBI pohon se nuk ka gjetur kurrfarë lidhje me terrorizmin ndërkombëtar.