Ish-menaxheri i fushatës presidenciale të Donald Trump, Paul Manafort, do të përballet me akuzat që lidhen me një hetim mbi ndërhyrjet e Rusisë për të manipuluar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.Manafort dhe ish-bashkëpunëtori i tij në biznes, Rick Gates, janë urdhëruar të shkojnë ne Prokurori. Një hetim i udhëhequr nga prokurori special, Robert Mueller, është duke u zhvilluar për të gjetur nëse ka pasur lidhje mes Rusisë dhe fushatës së Trumpit, gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të kaluar.

Natyra e akuzave me të cilat do të përballen Manafort dhe Gates nuk është ende e qartë.

Dje, presidenti Trump postoi një koment në Twitter ku sulmonte procesin hetimor si “një sajesë” dhe “gjueti partiake shtrigash”.

Ndërkohe nesër, shefat ekzekutivë të platformave dixhitale dëshmojnë në Kongres mbi hapat që po marrin për të mbrojtur median sociale nga ndërhyrjet tendencioze nga agjentë të huaj gjatë fushatave politike.