Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, përgjegjës për çështjet evropiane dhe euroazi, Hojt Brajan Ji në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë sot u takua me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli si dhe me kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj.

Në komunikatën e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se kryetari i këtij institucioni, Kadri Veseli ka biseduar me diplomatin amerikan për punën e institucioneve të Kosovës në avancimin e shumë proceseve në vend, si dhe në bashkëpunimin rajonal.

Veseli theksoi se Kuvendi po vazhdon të kryejë obligimet kushtetuese dhe në të ardhmen do të intensifikojë punën e vet në shtyrjen përpara të shumë vendimeve të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, thuhet në komunikatë.

“Nga ana e tij, Hojt Ji theksoi nevojën e përshpejtimit të agjendës evropiane për vendin dhe vlerësoi përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e detyrave që ka”, thuhet në komunikatë.​

Zyrtari amerikan, siç bëjnë të ditura mediat kosovare, do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të minoriteteve dhe përfaqësues të tjerë politik në Kosovë.

Hojt Ji gjatë ditës së sotme, siç njoftoi Departamenti i informacionit të Presidencës së Kosovës, ka realizuar takim edhe me presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi me të cilin kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, rolin e SHBA-së në rajon, perspektivën euroatlantike të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë të Shteteve të Bashkuara që nga zgjedhja e institucioneve të reja qendrore të Kosovës, përkatësisht Qeverisë dhe konstituimit të Kuvendit.

Para se të vijë në Prishtinë, Hojt Ji ka qëndruar edhe në Beograd. Atje, ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidentit të Serbisë, thuhet se Ji ka shprehur brengosjen e tij për shkak të perceptimit se Serbia me një këmbë është e orientuar kah BE-ja e me tjetrën kah Rusia, duke shfaqur shqetësimin për shkak të ndikimit rus në rajon.

Diplomati amerikan kishte potencuar se përparimet e Serbisë në fushën e të drejtave të njeriut, lirisë së medieve dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, janë vendimtare në rrugën e Serbisë për anëtarësim në BE.

Ai u ka kërkuar sërish autoriteteve të Serbisë të zbardhin rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi në vitin 1999 dhe djegien e ambasadës së SHBA-së, në Beograd në vitin 2008.