SHBA-ja me diplomacinë, me programet për ndihmë dhe mesazhet publike deri te Serbia dhe vendet e tjera në rajon theksojnë se stabiliteti, siguria dhe progresi janë të rëndësishme, por demokracia dhe liritë themelore kërkojnë respektim të së drejtave të njeriut dhe qeverisjes së të drejtës, deklaroi zëvendës-ndihmës sekretari shtetëror Hojt Brajan Ji.

Ai theksoi se me ndryshimet në Shtëpinë e Bardhë nuk do të thotë se ndryshojnë edhe prioritetet e SHBA-së me Serbinë dhe Ballkanin, për shkak se interesat amerikane në Ballkan nuk janë ndryshuar.

“Ne ende dëshirojmë që rajoni të jetë më i suksesshëm, më stabil, më i sigurt dhe më mirë i integruar në pjesën tjetër të Evropës”, tha Hojt Ji, dhe vlerësoi se kjo ka qenë politika amerikane gjatë dy dekadave të kaluara dhe se ajo do të vazhdojë.

Në intervistën për “FoNet”, përfaqësuesi zyrtar amerikan vërejti se opinioni ka imazh të gabuar rreth asaj se kush sa investon në Serbi. Hojt Ji tha se për këtë një pjesë të fajit mbajnë diplomatët amerikanë, përgjegjësia e të cilëve është që t’i shpjegohet opinionit në Serbi se çfarë bëjnë dhe pse atë e bëjnë.

“Megjithatë, është legjitime edhe çështja se nëse mediat serbe informojnë se çka flasim, çka kumton ambasada jonë, përfaqësuesit në Bruksel dhe në Uashington”, deklaroi Hojt Ji.

Duke theksuar se vitin e kaluar investimet nga Rusia kanë qenë rreth 80 milionë dollarë, ndërsa nga Bashkimi Evropian 1,5 miliardë dollarë. AI tha se këtu nuk ka krahasim, por që shumë serbë kanë përshtypje se Rusia siguron më shumë investime dhe ndihmë, që nuk është e saktë.

Ai shpreson se serbët do të kuptojnë se SHBA-ja dhe BE-ja i ndihmojnë Serbisë që t’i realizojë qëllimet e saj. Hojt Ji potencoi se SHBA-ja dëshiron që njerëzit të kenë standard më të mirë jetësor dhe Serbia t’i bashkëngjitet Evropës, ndërsa, siç tha, serbët duhet të pyeten se çka bën Rusia që t’i ndihmojë Serbisë që t’i realizojë qëllimet e saj.