Në mesnatë përfundoi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër dhe filloi heshtja zgjedhore.

Sot, një ditë para zgjedhjeve, të drejtën e tyre për të votuar mund ta realizojnë 1.882 persona në institucionet ndëshkuese-përmirësuese dhe personat të cilët janë në paraburgim, nëntë persona të shpërngulur në brendësi, si dhe personat e pamundur dhe të sëmurë të cilët e kanë kërkuar këtë nga komisionet zgjedhore komunale.

Personat e shpërngulur në brendësi votojnë në shtëpitë kolektive dhe qendrat e pranimit ku janë të vendosur, të sëmurët dhe personat  e pamundur në shtëpitë e tyre, ndërsa votuesit të cilët në ditën e votimit ndodhen në vuajtje të paraburgimit shtëpiak votojnë në vendin ku e vuajnë masën.

Votimi edhe sot dhe nesër në ditën e zgjedhjeve fillon në orën shtatë dhe do të zgjasë deri në orën 19.

Zgjedhjet lokale do të realizohen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Të drejtë vote kanë 1.814.644 zgjedhës. Në certifikatat nga lista zgjedhore janë regjistruar 1.735.682 votues, 77.071 zgjedhës janë në punë të përkohshme ose qëndrim jashtë shtetit, 1.882 janë në vuajtje të dënimit me burg ose janë në paraburgim, ndërsa nëntë votues janë regjistruar si persona të shpërngulur në brendësi.

Në zgjedhjet lokale marrin pjesë kandidatë për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë nga 19 parti dhe koalicione, ndërsa 64 janë nga grupe të votuesve.

Raundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor.

Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni. Zgjedhjet e para lokale u mbajtën në vitin 1990, të ardhshmet në vitin 1996, në vitin 2000, në 2005, 2009 dhe zgjedhjet e fundit në vitin 2013.