Fushata, të cilën shumëkush e vlerësoi kreative, dhe e cila i solli rezultat të rëndësishëm Selim Pacollit, kandidatit të Aleancës Kosova e Re në Prishtinë, është ideuar nga hebrenjtë. Më saktësisht, për Pacollin javëve të fundit ka punuar Moshe Klughaft, strategu i njohur edhe për suksesin e tij në fushatën elektorale në Rumani. Selim Pacolli ka dalë i treti në Prishtinë, duke fituar mbi 8 mijë vota, ndërsa AKR, si subjekt, ka fituar 7.72 për qind. Gjatë kohës sa kompania hebraike i ka këshilluar për zgjedhjet lokale, lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli, ka shpalosur edhe planin e tij për ndërtimin e një Qendre Islamik,e në vendin ku aktualisht është Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës.

Jerusalem Post shkruan se menaxheri i fushatave politike, Moshe Klughaft, i cili ka bërë fushata zgjedhore për partinë djathtiste hebraike, Bayit Yehudi, së fundmi e ka shtuar edhe një fushatë tjetër në CV’në e tij, pas fushatës në Kosovë, vendin me shumicë myslimane, përcjell Gazeta Express.

Mediat hebraike nuk kanë përmendur ndonjë shumë parash që mund t’i ketë kushtuar Pacollit për angazhimin e këtij strategu, por ato për këtë kanë raportuar edhe në formë kurioziteti, pasi Klughaft në Izrael është i angazhuar për parti radikale, ndërkohë që është potencuar angazhimi i tij në Kosovën me shumicë myslimane.

Jerusalem Post e përshkruan strategun hebre si të njohur edhe për fushatat e tij të suksesshme në Rumani dhe në Austri – Klughaftit iu kërkua nga Aleanca Kosova e Re, partia demokratike liberale (e Behgjet Pacollit), ta bëjë fushatën e saj në zgjedhjet lokale, të mbajtura së fundmi në vend.

Kosova është shtet laik me një popullatë 95% myslimane, edhe pse, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave, qytetarët e saj e përcaktojnë identitetin e tyre kombëtar më shumë përmes gjuhës sesa fesë, dhe kanë një qasje të relaksuar ndaj zbatimit të islamit, shkruan Jerusalem Post.

Vendi e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, dhe është njohur nga 111 vende të botës, edhe pse ende jo nga Izraeli.

Gjatë fushatës, Klughaft shfrytëzoi kohë për ta zbuluar trashëgiminë e vogël hebre të Kosovës, ku gati 550 hebrenj jetuan para Luftës së Dytë Botërore.

Ai i vizitoi varrezat e hebrenjve në vend, ku tha “kaddish” pranë gurëve të varreve, dhe po ashtu ka kontaktuar me hebrenjtë që ende jetojnë në Kosovë, të cilët i kërkuan ndihmë për të mundësuar transmetimin e një kënge për të mbijetuarit e holokaustit në televizionin kombëtar.

Klughaft kreu një fushatë provokatore për Aleancën Kosova e Re, përfshirë të ashtuquajturat “operacionet guerile”, gjatë natës në qytete, ku shenjat me dukje zyrtare ishin ngritur me mbishkrimin “Një Spital do të ndërtohet këtu” apo “Një shkollë do të ndërtohet këtu”, gjë për të cilën partia është gjobitur.

Aleanca Kosova e Re po ashtu mbajti një konferencë për media pranë ndërtesës së Qeverisë, ku njoftoi se ka për qëllim ta largojë Qeverinë nga kryeqyteti, Prishtina, dhe t’i strehojë studentët atyre, ndërsa anëtarët e partisë u veshën si mbledhës bërlloku, për të nënvizuar refuzimin e mbledhjes së problemeve.

Klughaft nuk e ka zbuluar prezencën e tij në Kosovë gjatë dy muajve sa po punonte atje.

Ai ka thënë për Jerusalem Post se fushata ishte dëshmi se fushatat politike mund të bashkojnë dhe jo vetëm ndajnë, duke shtuar se “sikur të mund të sjellim bashkëjetesë të suksesshme mes hebrenjve dhe myslimanëve, siç e kemi në Kosovë. Është vend madhështor me njerëz fantastikë dhe me një të ardhme të madhe”.