Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është drejtuar me shkresë zyrtare ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica lidhur me shqyrtimin e vendimit të ish ministrit, Nenad Rashiq, të vitit 2011 për ndaljen e të gjitha aplikimeve për pensione dhe beneficione “për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre”.

Bëhet fjalë për kategoritë që kanë aplikuar për pensione më 31 maj të vitit 2011.

Lajmi.net e ka siguruar shkresën që Haradinaj i ka dërguar ministrit Reçica.

Haradinaj kërkon nga Reçica që të shfuqizohet vendimi i ish ministrit Rashiq dhe këto kategori që u përmend më lartë të mund të aplikojnë për realizimin e pensioneve dhe beneficioneve, pas mbarimit të procesit të njohjes dhe verifikimit të statusit nga ana e Komisionit Qeveritar të themeluar në bazë të ligjit. /Lajmi.net/