Nesër në Selanik Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski do të gjykohen për posedimin e pasaportave false bullgare. Seanca është caktuar në orën 12.

Tani mbetet një enigmë nëse për veprën që ngarkohen, eventualisht do të marrin dënim me burg në Greqi. Policia greke dyshen e pandashme Grujevski dhe Boshkovski i arrestoi në aeroportin e Selanikut, nga ku duhej të udhëtojnë për në Budapest. Dyshja e DSK-së u bë e dyshimtë për shkak të cilësisë së dobët të pasaportave. Goran Grujevski ka ndërruar emrin në Hristo Atanasov ndërsa Nikolla Boshkovski në Nexhbi Hasan.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski shpjegoi se dyshja e policisë sekrete kishte logjistikë nga Maqedonia, derisa ishin në arrati. Por, me ndihmën e shërbimeve të rajonit ata janë gjetur dhe arrestuar, pasi Interpoli lëshoi urdhër arresti për ta.

Përndryshe Grujevski dhe Boshkovski duhet të ekstradohen që të gjykohen për aferën e përgjimeve të paligjshme. Ata janë të akuzuar në rastin “Fortesa” dhe “Target”, përmes të cilëve Prokuroria Speciale duhet të dëshmojë kush ka përgjuar në mënyrë të paligjshme në vendin tonë vite me radhë. Grujevski dhe Boshkovski ishin në arrati për gati tre muaj pas përcaktimit të masës së paraburgimit. Tani duhet të sqarohet si e braktisën Maqedoninë, duke pas parasysh se janë kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar dhe pse si vend strehim ishte zgjedhur pikërisht Budapesti./alsat-m