Në Gjykatën në Selanik sot duhet të mbahet gjykimi i ish-shefit të Drejtorisë së pestë në MPB, Goran Grujevskit dhe të punësuarit në DSK, Nikolla Boshkoskit, pas të cilëve autoritetet e Maqedonisë kanë shpallur urdhër-arrest ndërkombëtar, lajmëruan mediat greke.

Ata të premten e kaluar janë nxjerrë para Gjykatës së Selanikut për shkak të posedimit të dokumenteve të rreme të udhëtimit, por gjykimi është anuluar për sot për shkak të mospasjes së përkthyesit nga gjuha greke në atë maqedonase.

Grujevski dhe Boshkoski akuzohen nga Prokuroria Speciale Publike për përgjime të paligjshme dhe për shkatërrimin e sistemeve të përgjimit, raste të njohur si “Fortesa”, “Target” dhe “Fortesa 2”.

Që të dy u arrestuan nga ana a policisë greke në aeroportin në Selanik, më 18 tetor, gjatë tentimit me dokumente të rreme bullgare të shkojnë me aeroplan për në Budapest.

Paraprakisht mediat greke lajmëruan se Grujevski dhe Boshkoski mund të ekstradohen nga fundi i nëntorit ose në javët e para të dhjetorit të këtij viti dhe deri atëherë do të jenë në paraburgim në Greqi.

Procedurën nga ana e Maqedonisë, do ta zhvillojë Ministria e Drejtësisë, e cila mbrëmë nga MPB-ja e mori njoftimin nga Interpol-Athina për Boshkoskin dhe Grujevskin të cilët kërkoheshin me urdhër-arrest ndërkombëtar. Ministria e Drejtësisë, pasdite kumtoi se ka dorëzuar kërkesë deri te gjykata kompetente në Shkup për përgatitjen e tërë dokumentacionit për ekstradimin e tyre, pasi është marrë letër zyrtare nga Shërbimet qendrore policore të MPB-së.

Edhe krahas asaj që Maqedonia dhe Greqia kanë marrëveshje për ekstradim, dy të arrestuarit mundet shpejt t’i dorëzohen Maqedonisë me marrëveshje të dy ministrive të punëve të brendshme, pohon ish-ministri i Punëve të Brendshme Pavle Trajanov për Dojçe Vele.

Kryeministri Zoran Zaev, PSP dhe Ministria e Punëve të Brendshme, deklaruan se nuk presin që të pengohet ekstradimi i Grujevskit dhe Boshkosit nga Greqia në Maqedoni.

Skandali me përgjimet në Maqedoni filloi në vitin 2015 dhe shkaktoi krizë politike në vend.