VMRO-DPMNE dhe Koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” sonte në Manastir i prezantuan kandidatin për kryetar të komunës Zoran Ilioski dhe kandidatët për këshilltarë komunalë, për të cilët lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski tha se kanë një sërë projektesh për erën e re në Manastir në katër vitet e ardhshme.

Në fjalimin e tij para anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë nga koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë”, Gruevski deklaroi se “zgjedhjet e ardhshme lokale njëherit janë edhe mundësi që populli ta dënojë eklipsin, mospasjen e ideve të Qeverisë së re, të cilën e mbulojnë me tentativa të çdoditshme dhe hajka kundër atyre që mendojnë ndryshe”.

Sipas Gruevskit, dobësitë më të mëdha Qeveria e kryesuar nga LSDM-ja i ka treguar në ekonomi.

Zgjedhjet lokale janë shansë për epokën e re për fitore të re, e cila fillon në Maqedoni, theksoi Gruevski dhe sqaroi se pse është me rëndësi që të votohet për kryetarë komunash dhe për këshilltarë nga partia dhe koalicioni që e kryeson.

Kandidati për kryetar të Manastirit, Zoran Ilioski tha se në fokusin e programit të tyre janë të rinjtë, të cilët do të përpiqen t’i mbajnë me sigurimin e punës, jetën e denjë dhe jetën cilësore të jetesës.