B. Gashi pretendon se bashkëshorti i saj, Tomë Gashi, e ka sulmuar atë fizikisht të enjtën e 28 shtatorit, teksa ka raportuar në polici se bashkëshorti i saj avokat e ka goditur atë me boks në kokë.

Në raportin e policisë që e ka siguruar Gazeta Online Insajderi, bëhet e ditur se B. Gashi e ka raportuar rastin në policit të premtën, një ditë pas rastit të dyshuar se ndodhi të enjtën në mbrëmje.

B. Gashi i ka thënë policisë se bashkëshorti i saj e ka sulmuar atë të enjtën rreth orës 20:00. Siç ka thënë 51-vjeçarja për policinë, Tomë Gashi e ka goditur atë me boks në kokë dhe ndër brinj, raporton Insajderi.

“Ankuesja B. Gashi ka raportuar në Polici se pas një mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj, të dyshuarin Tomë Gashi, i njëjti e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me boks në kokë dhe ndër brinjë, në anën e majtë”, thuhet në raportin e policisë për rastin në fjalë.

Siç theksohet në raportin e Policisë së Kosovës, B. Gashi ka pranuar edhe ndihmë mjekësore pas incidentit. Ndërsa, avokati Gashi, i cili mbron deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, është intervistuar nga policia, teksa ka mohuar të ketë sulmuar bashkëshortën e tij.

“Është intervistuar i dyshuari Tomë Gashi me profesion avokat, i cili ka mohuar të ketë sulmuar ankuesen dhe se nuk ka pasur asnjë mosmarrëveshje apo konflikt”, thuhet në raport.

Policia ka theksuar “lidhur me këtë rast janë njoftuar njësitë përkatëse QPS dhe njësia për Mbrojtjen e Viktimave, si dhe Prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm.”
Gashi është duke mbrojtur klientin e tij, deputetin Krasniqi, për një sulm fizik të ngjashëm që ka ndodhur në po të njëjtën ditë kur bashëshortja e avokatit e ka paraqitur rastin në polici.