Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka dhënë dorëheqjen si sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste.

Dorëheqja u komunikua gjatë punimeve të asamblesë së Partisë Socialiste. “Jap dorëheqjen si sekretar i përgjithshëm i Asamblesë Kombëtare të PS. Të gjithë i keni parasysh arsyet, ka të bëjë me detyrën e re që më keni ngarkuar”.

Qëndrimi i Kokëdhimës rreth Gramoz Ruçit

Gjatë intervistës për gazetarin Alen Xhelili në UTV News, kreu i Partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima deklaroi se Gramoz Ruçi është zgjedhur në këtë post pa konkurrencë dhe nuk e ka bërë si duhet punën e tij.

“Sa i përket Gramoz Ruçit unë kam qenë kritik me punën e tij. Ai për mua nuk e bënte detyrën e tij, nuk e drejtonte PS-në. PS-ja ishte blozë, ishte shkatërruar plotësisht nga brenda, nuk kishte as demokraci, as standarde, as procedura, as nivel, as organizim dhe për këtë ky zotëria nuk mbante asnjë përgjegjësi. E kishin partinë 200 veta nëpër xhepa si letra bakalli, dhe nuk kishte asnjë bazë të dhënash. Ai nuk bënte asnjë punë dhe nuk mbante asnjë lloj përgjegjësie, ishte gjithmonë fitues. Humbte apo nuk humbte partia, ai gjithmonë fitonte. Propozimi im për Edi Ramën ishte shumë i thjeshtë: Unë nuk kam interes, por ky post duhet të zgjidhet me konkurrencë. I kam propozuar lidershipit të PS-së kandidatë konkretë që të garonin me Gramoz Ruçin. I propozova Lindita Nikollën dhe Blendi Çuçin për t’u bërë sekretar të Përgjithshëm të PS-së dhe ta rinovonim atë parti. Gramozi nuk ishte asnjë arsye që të vazhdonte pa konkurrencë të emërohej sekretar i përgjithshëm aq më pak kryedeputet i Shqipërisë. Qëndrimet unë i kam mbajtur njësoj, si atëherë edhe tani”, u shpreh Kokëdhima gjatë intervistës.