Sekuestrohet në afërsi të Otrantos një gomone me 712 kg lëndë narkotike e në pranga janë vënë 3 skafistët, të tre shqiptarë.

Ka qenë Policia Kufitare Greke e cila ka njoftuar Policinë e Shtetit për një gomone që dyshohej se po trafikonte lëndë narkotike nga Greqia për në Itali.

Policia e Kufirit në Vlorë ka shkëmbyer informacion me kolegët e Policisë Italiane, Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë si dhe me Zyrën Ndërlidhëse të Policisë së Shtetit në Itali në një komunikim të vazhdueshëm me Guardia di Finanza në Bari dhe Puglia.

Guardia di Finanza e Puglias ka bërë të mundur që në orët e para të mëngjesit në afërsi të Otrantos të ndalojë mjetin lundrues tip gomone me tre shtetas shqiptarë në bord konkretisht:

L. B., 38 vjeë, H. M., 23 vjeç dhe Xh. H., 24 vjeç.

Guardia di Finanza e Puglias ka gjetur e sekuestruar në bordin e gomones 712 kg lëndë narkotike kanabis sativa.

Nga veprimet paraprake dyshohet se gomonen e ka çuar në Greqi një qytetar italian me qëllim trafiku të lëndëve narkotike nga Greqia për Itali me skafistë nga Shqipëria.

Detaje të tjera nuk mund të jepen për shkak të sekretit hetimor.