Gjykata në Selanik sot e ka shtyrë për më 24 tetor gjykimin e ish-shefit të Drejtorisë së pestë në MPB, Goran Grujovskin dhe të punësuarin në DSK, Nikolla Boshkoskin, pas të cilëve autoritetet e Maqedonisë kanë shpallur urdhër-arrest ndërkombëtar, lajmëruan mediat greke.

Grujovski dhe Boshkoski akuzohen nga Prokuroria Speciale Publike për përgjime të paligjshme dhe për shkatërrimin e sistemeve të përgjimit, raste të njohur si “Fortesa”, “Target” dhe “Fortesa 2”.

Ata sot kanë dalë para Gjykatës në Selanik për shkak të posedimit të pasaportave të rreme.

Grujovski dhe Boshkoski të cilët u arrestuan pardje në aeroportin në Selanik, kanë shfrytëzuar pasaporta të rreme gjatë tentimit për të shkuar me aeroplan për në Budapest.

Arsyeja për shtyrjen e gjykimit është që gjykata nuk ka mundur të gjejë përkthyes nga gjuha greke në gjuhën maqedonase.

Paraprakisht mediat greke lajmëruan se Grujovski dhe Boshkoski mund të ekstradohen nga fundi i nëntorit ose në javët e para të dhjetorit të këtij viti dhe deri atëherë do të jenë në paraburgim në Greqi, bëjnë të ditur mediat greke.

Procedurën nga ana e Maqedonisë, do ta zhvillojë Ministria e Drejtësisë, e cila mbrëmë nga MPB-ja e mori njoftimin nga Interpol-Athina për Boshkoskin dhe Grujovskin të cilët kërkoheshin me urdhër-arrest ndërkombëtar.

Ministria e Drejtësisë, pasdite kumtoi se ka dorëzuar kërkesë deri te gjykata kompetente në Shkup për përgatitjen e tërë dokumentacionit për ekstradimin e tyre, pasi është marrë letër zyrtare nga Shërbimet qendrore policore të MPB-së.

Edhe krahas asaj që Maqedonia dhe Greqia kanë marrëveshje për ekstradim, dy të arrestuarit mund shpejtë t’i dorëzohen Maqedonisë me marrëveshje të dy ministrive të punëve të brendshme, pohon ish-ministri i Punëve të Brendshme Pavle Trajanov për Dojçe Vele.

Zëdhënësi i Qeverisë Mile Bosnjakovski sot deklaroi se Maqedonia “pret të realizohen të gjitha marrëveshjet dhe standardet ndërkombëtare për rastin dhe tërë procedura do të përfundojë në kuadër të afateve reale”.

Skandali me përgjimet në Maqedoni filloi në vitin 2015 dhe shkaktoi krizë politike në vend.