Gjykata Themelore në Prishtinë në seancën gjyqësore nuk ka pranuar kërkesën e Prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ka njoftuar avokati i Krasniqit, Tomë Gashi.

Krasniqi ishte ndaluar nga Policia e Kosovës pas përplasjes fizike me deputetin e Kuvendit të Kosovës nga Nisma për Kosovën, Milaim Zeka, gjatë një debati në një emision të drejtpërdrejtë, në një televizion vendor. Avokati I Krasniqit Gashi ka theksuar se Krasniqit “i është caktuar masa e ndalimit të ofrimit fizik të Milaim Zeka në Kuvend në distancë prej 5 m dhe jashtë Kuvendit në distancë prej 100 metra. Frashëri është liruar nga masa e arrestit të caktuar dy ditë më parë”. Avokati Gashi, gjithashtu, ka njoftuar se ndaj Krasniqit do të zhvillohen hetime për lëndim të lehët trupor ndaj Zeka, ndërkaq që ky i fundit, do të hetohet për veprën penale “ të kanosjes ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi”.