Ish-shefi i Drejtorisë së pestë në MPB, Goran Grujevski dhe i punësuari në DSK, Nikolla Boshkoski sot do të nxirren para Gjykatës në Selanik, për shkak të posedimit të dokumenteve të rrejshme të udhëtimit me të cilët kanë qëndruar në Greqi, njofton ANA-MPA.

Në paraqitjen e tyre të parë para prokurorit publik grek në Selanik, ata i kanë hedhur poshtë akuzat nga autoritetet e Maqedonisë, duke i vlerësuar si politikisht të motivuara. Madje, kanë kërkuar që të mos ekstradohen në Maqedoni, për shkak se druanin se jeta e tyre do të vendoset në rrezik.

Në dokumentet e Maqedonisë të dërguara deri te Interpoli thuhet se bëhet fjalë për dy anëtarë lart të pozicionuar të shërbimeve sekrete të sigurisë.

Gjykata e Apelit në Selanik ditëve të ardhshme do të vendosë se nëse Grujevski dhe Boshkoski do të deportohen në Maqedoni.

MPB mbrëmë e mori njoftimin nga Interpol-Athinë për Boshkoskin dhe Grujevskin të cilët kërkoheshin me urdhër-arrest ndërkombëtar, ndërsa pardje u arrestuan në Selanik dhe menjëherë e ridërgoi deri te Ministria e Drejtësisë që t’i përgatisë dokumentet e nevojshme për ekstradim.

Zyra për punë konsullore, ekonomike dhe tregtare e republikës së Maqedonisë në Selanik dje e informoi Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë se Grujevski dhe Boshkoski gjatë ditës do të nxirren para Prokurorisë në Selanik, ku do t’u caktohet se në cilin burg do të paraburgosen deri në kompletimin e lëndës së ekstradimit.

Edhe krahas asaj që Maqedonia dhe Greqia nuk kanë marrëveshje për ekstradim, të dy të arrestuarit mundet shpejt t’i dorëzohen Maqedonisë me marrëveshje të së dy ministrive të punëve të brendshme, pohon ish-ministri i Punëve të Brendshme Pavle Trajanov për Dojçe Vele.

Skandali me përgjimin në Maqedoni filloi në vitin 2015 dhe shkaktoi krizë politike në vend.

Grujevski dhe Boshkoski u arrestuan pardje në aeroportin në Selanik, duke tentuar që të dalin nga Greqia me pasaporta të rrejshme bullgare.

Të dy janë të  akuzuar nga Prokuroria Speciale Publike për përgjim ilegal të qytetarëve dhe për shkatërrim të sistemeve për përgjim, raste të njohura me emrin “Fortesa”, “Target” dhe “Fortesa 2”.