Pas kritikave nga serbët e Bosnjës për njëanshmëri pas lirimit nga akuzat të komandantit boshnjak Naser Oriq, gjykata shtetërore tha se ajo ka liruar nga akuzat 60 ish-ushtarë, policë, zyrtarë dhe roje kampi serbë.

Gjykata shtetërore tha sot se që prej krijimit të saj, ajo ka liruar nga akuzat për gjenocid ose krime lufte 60 serbë të Bosnjës – një përpjekje për të kundërshtuar akuzat për njëanshmëri nga serbët për lirimin nga akuzat të Naser Oriqit më herët këtë muaj.

Nga 60, më shumë se 50 janë ish-anëtarë të forcave të Ushtrisë Serbe të Bosnjës ose të forcave të Ministrisë së Brendshme në Republikën Srpska, ndërsa të tjerët janë ish-zyrtarë civilë, udhëheqës paraushtarakë ose roje të kampeve të paraburgimit.

Gjykata shtetërore tha gjithashtu se ajo dha një sërë vendimesh për lirim nga akuzat në çështje që kanë lidhje me gjenocidin dhe krimet e luftës në Srebrenicë.

Ajo tha se të pandehurit e liruar nga akuzat ishin Milos Stupar, Aleksandar Cvetkoviq, Momir Pelemis, Zdravko Bozhiq, Zhelko Zariq, Zoran Zhivanoviq, Dragan Neskoviq, Zoran Iliq, Miladin Stevanoviq, Zoran Tomiq, Nedjo Ikoniq, Milovan Matiq, Dragisha Zhivanoviq dhe Velibor Maksimoviq.

Gjykata ka liruar gjithashtu nga akuzat zyrtarët e lartë civilë dhe oficerët e policisë Goran Sariq, Momcilo Mandiq dhe Gojko Klickoviq.

Vendimi i shkallës së parë për lirimin nga akuzat të Naser Oriqit, i cili u akuzua për krime lufte në Srebrenicë dhe Bratunac në vitin 1992, shkaktoi reagime të ashpra nga udhëheqësit politikë në Republikën Srpska dhe në Serbi.

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, e akuzoi gjykatën si të njëanshme sepse gjyqtari në gjyqin e Oriqit ishte një mysliman boshnjak.

“Mjafton që një mysliman të gjykojë një mysliman dhe do të lirohesh nga akuzat,” tha Dodik.

Ai kërcënoi gjithashtu të ringjallë idenë e një referendumi që do të vërë në pikëpyetje ligjshmërinë e gjykatës dhe prokurorisë në nivel shtetëror.

Presidenti serb Aleksandër Vuiçiq tha se vendimi ishte një provë që jetët e serbëve nuk konsideroheshin “të vlenin aq shumë sa jetët e të tjerëve”.

Por kryetari i gjykatës shtetërore, Ranko Debeveç, mohoi ndonjë njëanshmëri institucionale.

“Gjykata e Bosnjës dhe Hrecegovinës punon profesionalisht në përputhje me provat e siguruara nga prokuroria dhe jo me baza politike dhe spekulime dhe presione mediatike,” the Debeveç për birn.

Gjykata shtetërore u themelua në vitin 2003 dhe e dha vendimin e saj të parë për krime lufte në vitin 2007.