Gjermania e mbështet qeverinë spanjolle dhe nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur sot nga parlamenti katalanas, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Shtefan Zajbert.

Sipas tij, Berlini është i shqetësuar për shkak të eskalimit të ngjarjeve në Spanjë, duke paralajmëruar se shpallja e njëanshme e pavarësisë i “shkel parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial të Spanjës”.

“Qeveria gjermane nuk njeh deklarim të tillë të pavarësisë. Berlini e mbështet qëndrimin e qartë të kryeministrit spanjoll, Mariano Rahoj në përpjekjet e tij ta kthejë paqen dhe rendin. Shpresojmë që të gjitha palët e përfshira do t’i shfrytëzojnë mundësitë për dialog dhe deeskalim”, tha Zajbert.