Gërmimet në Kalanë e Tetovës, Balltepe, do të vazhdojnë vitin e ardhshëm. Kështu, ka deklaruar ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski, gjatë qëndrimit të tij në Tetovë ditë më parë. Ai ka thënë se në rebalansin e buxhetit janë paraparë mjete nga buxheti i kësaj Ministrie, shkruan gazeta KOHA.

“Disa mjete ishin paraparë që të vazhdojnë punët deri në fund të këtij viti, por për shkak të rebalancit të buxhetit janë paraparë mjete për vitin e ardhshëm, për shkak të stërngarkimit të buxhetit paraprak. Në çdo rast, punët në Kalanë e Tetovës do të vazhdojnë vitin e ardhshëm. Kjo tashmë është pjesë e prioriteteve të institucioneve përkatëse”, deklaroi ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski.

Ai tha se është bërë edhe revizion të projektit për gërmimet arkeologjike në Kalanë e Tetovës. Ekspertët mendojnë se Kalaja e Tetovës është lënë pas dore. “Vite me radhë mbetet e lënë pas dore nga institucionet që duhet të përkujdesen për ato. Vite me radhë porta hyrëse dhe një pjesë e murrit rrethues janë shkatërruar çka ndikon në shkatërrimin e mëtejshëm të pjesëve tjera të saj. Sot, kur të kaloni përreth saj do të vëreni një gërmadhë me gur si pasojë e rrënimit të murrit, por edhe pse disa herë u dhanë premtime se do të intervenohet në konservimin dhe restaurimin e tyre dhe se asaj do t’i kthehet pamja e dikurshme jemi dëshmitar që institucionet shtetërore aspak nuk u intereson ky objekt, kurse përgjegjësit e atyre institucioneve janë tërësisht të paaftë dhe të pa interesuar për të bërë diçka për ta restauruar këtë objekt dhe objektet tjera me vlera të mëdha kulturore dhe historike në qytetin tonë dhe më gjerë”, thotë Skender Palloshi, ekspert i ndërtimtarisë. Shkaku i rrezikut që paraqitet nga shembja e gurëve për jetën e njerëzve, në Kalanë e Tetovës, dukshëm është reduktuar edhe numri i vizitorëve i cili nuk është më si më pare. Revitalizimi i Kalasë së Tetovës, që nisi 9 vjet më parë me një ekspeditë arkeologjike, është kthyer në një projekt të mbetur pezull. Punimet në Kalanë e Tetovës nisën në mars të vitit 2008, ku kërkohej edhe pjesëmarrja e arkeologëve nga Shqipëria dhe Kosova. Po ashtu, nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës u parashikua projektin për konservimin dhe restaurimi i pjesëve të veçanta të Kalasë, si i bedenave, kullave të vrojtimit dhe objekteve të tjera. Një pjesë e madhe e mureve rrethuese, kuzhinës dhe trapezarisë, janë zbuluar deri tash nga gërmimet arkeologjike në kalanë e Tetovës. Kjo, bëhet me qëllim që këto mure shumë shpejt të konservohen dhe të evitohet rrënimi i tyre. Këto dhe disa dysheme janë të zbuluara nga gërmimet arkeologjike të deritanishme. Kalaja e Tetovës ndodhet në majën e Balltepes, me një lartësi mbidetare prej 803 metra, e lartë 220-250 metra dhe me sipërfaqe prej 108.000 metra katrorë. Ndërtuesit e kalasë e kishin paraparë pozicionin strategjik, për shkak se kontrollohej një pjesë e madhe e Fushëgropës së Pollogut.

Kalaja e Tetovës u ndërtua në vitin 1820, nga ana e Abdurahman Pashës. Në bazë të të dhënave gojore mësohet se fillimin e ndërtimit të këtij monumenti e nisi Rexhep Pasha, i ati i Abdurahman Pashës dhe ndërtimi zgjati afër 20 vjet. Abdurahman Pasha nuk arriti ta përfundojë ndërtimin e saj. Ky monument kulturor paraqet një bukuri të rrallë të kohës së kaluar. Përbërja e saj është komplekse. Pjesa e brendshme ka pesë saraje, kuzhina të mëdha, banja dhe një pus në mes të kalasë. Paraqet një ndikim të dukshëm të arkitekturës osmane. Gjatë luftërave të ndryshme ajo pësoi rrënime të shumta.