Kandidati për kreun e komunës së Çairit Visar Ganiu duke folur për ofertën që ia drejtoi elektoratit rikonfirmoi seriozitetin me të cilin ai mori përsipër të kandidonte për kryetar komune dhe të cilin e shndërroi në simbol të fushatës elektorale. Kandidatura e Visar Ganiut është sinjali që BDI e mori mesazhin që i dhanë votuesit në zgjedhjet e kaluara, kështu duke sjellë energji të reja dhe kandidat të pakontestueshëm, të cilit vështirë se mund t’i gjendet qoftë edhe njolla më e vogël në biografinë e tij profesionale dhe personale.

“Hartuam një program të shkëlqyer, të kompletuar për çdo skutë të komunës tonë, program që është përpiluar sipas kërkesave dhe nevojave të njerëzve që jetojnë aty, mundet që të fitohen zemrat e çairçanasve”, ka thënë Ganiu. Gjatë fushatës Ganiu ka vizituar mbi pesë mijë familje në komunë, ka organizuar një sërë aktivitetesh, ka ndërmarrë një sërë nismash dhe mbi të gjitha përpilimi i Kontratës për zhvillimin e Çairit për katër vitet e ardhshme, me 11 shtylla dhe projekte të detajuara në formën më të mirë të mundshme.