Fitorja në zgjedhje i ka siguruar kandidatit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Visar Ganiu,  një pozicion solid, pozicion ky për të cilin ai është i bindur se do të duhet të konsolidohet edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve. Kështu ka deklaruar Ganiu, bazuar jo vetëm tek besimi që do t’ja japin votuesit edhe në raundin e dytë, por edhe tek mbështetja nga koalicioni mes BDI dhe LSDM.

“Ky pozicion solid presim që të konfirmohet edhe në raundin e dytë, që qytetarët ta vulosin me nënshkrimin e tyre, ndërsa ne, si BDI, dhe unë personalisht si kandidat për kryetar komune u angazhuam me Kontratë që këtë program voluminoz ta vëmë në jetë dhe pas katër vitesh do të konstatojmë se ajo është zbatuar deri në pikën e saj të fundit. Ne morëm edhe mbështetjen e LSDM dhe të liderit të saj, Zoran Zaev, si edhe të kryetarit të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov. Me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj për këtë mbështetje të dhënë, të cilën e presim edhe në raundin e dytë”, ka thënë Ganiu.