Kontrata 2017-2021 e kandidatit për kryetar të  komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe strategjia për zhvillimin katërvjeçar të komunës nuk është thjesht një dokument në letër. Ky megaprojekt në të gjitha pikat e tij ka miratimin e Qeverisë, e cila ka premtuar në mbështetjen e parezervë për zbatimin e tij realizimin në cdo pjesë. Kështu deklaron Ganiu, duke iu referuar edhe deklaratave me kreun e ekzekutivit, Zoran Zaev, kreun e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov. Një prej hapave të parë ishte nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi disa ditë më parë mes Ganiut, Zaev, Shilegov dhe Esnafit të Çarshisë.

“U angazhuam me Kontratë që këtë program voluminoz ta vëmë në jetë dhe pas katër vitesh do të konstatojmë se ajo është zbatuar deri në pikën e saj të fundit. Sesi do të zbatohet ky program dhe me çfarë tempoje do të realizohet ne do të vendosim matësin në faqen tonë oficiale ku të gjithë do të mund të ndjekin ecurinë e realizimit të projekteve. Për kreun e ardhshëm të Komunës së Çairit, ne morëm edhe mbështetjen e LSDM dhe të liderit të saj, Zoran Zaev, si edhe të kryetarit të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov. Me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj për këtë mbështetje të dhënë, të cilën e presim edhe në raundin e dytë, ashtu si i presim edhe më tej, në katër vitet e ardhshme, për faktin e thjeshtë se programi nuk do të mund të realizohet nëse ne nuk marrim mbështetje serioze nga pushteti lokal dhe ai qendror”, ka thënë Ganiu.