Kandidati për kreun e komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka folur për koalicionin me Lidhjen Social Demokrate në raundin e parë zgjedhor dhe mbështetjen që i ka dhënë personalisht edhe shefi i Qeverisë Zoran Zaev duke i apeluar banorëve që të votojnë Ganiun si opsionin më të mirë. Njëherazi edhe mbështetjen nga kreu i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov për kandidaturën e tij, por edhe për projektet në të ardhmen.

“Koalicioni jonë me LSDM në nivel lokal dhe të qytetit ishte i hapur, transparent dhe i bërë publik përpara se të fillonin zgjedhjet. Dhe njerëzit që në fillim e kanë ditur se pse votojnë dhe kujt ia japin votën. E kanë ditur se për cilat vlera angazhohemi. Jam i bindur se një gjë të tillë e dëshmuam edhe me punën tonë në qeverinë e përbashkët proevropiane dhe reformatore”, ka deklaruar Ganiu. Ai ka shtuar se janë të hapur për bashkëpunime të cilat mund të bëhen mbi bazë të programeve dhe projekteve të përbashkëta, në të mirë të zhvillimit të ardhshëm të komunës.