Se nga anojnë forcat dhe cili do të jetë rezultati i raundit të dytë të zgjedhjeve në komunën e Çairit nuk është e vështirë të parashikohet.
Bashkimi Demokratik për Integrim dhe kandidati i saj në Çair, Visar Ganiu, gjatë zgjedhjeve të së dielës morën rezultatin më të mirë të mundshëm, duke realizuar pritshmëritë, jo vetëm për numrin e votave për kandidatin Ganiu, por edhe për numrin e këshilltarëve që do të ulen në këshillat komunalë, përkatësisht në Kuvendin e Këshillit të Çairit, si edhe në Qytetin e Shkupit. Visar Ganiu arriti të marrë gjithsej 11.841 vota, ose 38, 97 për qind të votave të përgjithshme, duke lënë pas pesë kandidatët e tjerë për kryetarë komune. Por nëse për numrin e votave të Ganiut dhe rezultatin e fituar prej tij është munduar që të spekulohet nga oponentët e tij duke hamendësuar se vijnë pas deklarimit të koalicionit me Lidhjen Social Demokratike, votat që shqiptarët dhanë për këshilltarët e BDI-së tregojnë të kundërtën, për shkak se janë vota që nuk vijnë si pasojë e koalicioneve politike.
Numri i votave të fituara nga BDI për këshilltarë është 8.361, shifër kjo që nënkupton një numër maksimal këshilltarësh (nëntë) dhe e rendit forcën e parë politike që do të dominojë gjithsesi në vendimmarrje gjatë katër viteve të ardhshme.
Në Këshillin e Qytetit të Shkupit, BDI ka marrë 17.  093 vota, që do të thotë 6,09 për qind të votave të përgjithshme.
Ky rezultat e rendit si subjektin numër një shqiptar, sidomos po të bëhet krahasimi me parti të tjera, si Besa që ka marrë rreth katër mijë vota më pak, ose një përqindje prej 4,95 për qind, apo PDSH as një për qind.
Arritja e këtyre rezultateve mund të konsiderohet si një fitore e pastër e kandidatit Ganiu, dhe njëherazi krijojnë një radhitje të re të forcave në skenën politike.
Dhe më shumë sesa meritë e një koalicioni, fitorja është tek vetë zgjedhja që ka bërë votuesi shqiptar, ndikuar më së shumti nga energjia pozitive e një fushate që nisi si e tillë.
Visar Ganiun, së bashku me kandidatët për këshilltarë, si në Qytetin e Shkupit, ashtu edhe në Çair  për më shumë se tre javë zhvilluan një fushatë jo për të mbledhur votat, por për tu përballur realisht me atë që ndodhte në terren.
Përveç përpilimit të një Strategjie për zhvillimin katër vjeçar të zonës, Ganiu arriti të trokasë jo vetëm në dyert, por edhe në mendjet e shumë familjeve. U njoh nga afër me problemet e përditshmërisë, duke filluar që nga higjiena e rrugicave, rritja e vetëdijes për të mirëmbajtur pastërtinë, por edhe tek projektet e megaprojektet e tjera, në infrastrukturë, arsim, kulturë, sport e rekreacion, e të tjera. Që gara për të fituar timonin e një komune u orientua nga ambicia dhe aspiratat për të sjellë ndryshime dhe jo për të fituar pikë në terrenin politik u tregua edhe me aftësinë e Ganiut që në asnjë moment të mos binte pre e provokimeve nga rivalët e tij, si në përballjet publike televizive, por edhe në raste të tjera.