Shikuesit e emisionit Good Morning Britain janë shprehur të pakënaqur me sjelljen e Mariah Careyt, kur mësoi për sulmet në Las Vegas, ku thuhet se numri i të vdekurve është 50.

Këngëtarja e muzikës pop ishte e ftuara e Piers Morgan dhe Susanna Reid për të folur rreth koncerteve të fundvitit në Londër dhe Paris, mirëpo gjatë emisionit u dha lajmi për sulmet në ‘Route 91 Harvest Music Festival’ në Las Vegas.

47-vjeçarja ishte shfaqur në emision drejtpërdrejt nga shtëpia e saj në Beverly Hills, ndërsa edhe pse nuk kishte informacion për sulmet ajo shprehu shqetësimin e saj dhe ngushëllimet për familjarët e viktimave.

“Kjo është diçka e tmerrshme. Po lutem për viktimat dhe shpresoj që këto gjëra të ndalen sa më shpejt të jetë e mundur. E dini se kam kaluar shumë kohë në Vegas dhe këto gjëra që po ndodhin në gjithë botën, janë një tragjedi e madhe”.

“Po vazhdoj të lutem për viktimat. Shpresoj që këto gjëra të marrin fund sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Mariah.

Mirëpo, përkundër ngushëllimeve të sinqerta, shikuesve të ITV nuk u ka pëlqyer mënyra se si ka folur këngëtarja.

Në momentin kur e kishte dëgjuar lajmin për tragjedinë, Carey ka vazhduar të qëndrojë shtrirë sikur të bënte një set fotografik duke i irrituar shikuesit.