Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë mbrëmjes së të hënës ka qëndruar në komunat e Rrafshit të Pollogut, në Zhelinë, Vrapçisht e Gostivar, për të mbështetur kandidatët e BDI-së që të dielën, në balotazh, pritet të konfirmojnë fitoren e tyre.

Zoti Ahmeti, në tubimin e mbajtur në fshatin Negotinë, duke nënvizuar se BDI-ja më 15 tetor shënoi fitore në rrafsh kombëtar, për shkak se listat e kandidatëve të saj morën më shumë vota në rang Republike, tha se rrumbullakimi i procesit zgjedhor të dielën shkon drejt stabilizimit të skenës politike pas krizës nëpër të cilën kaluam.

Çuarja përpara e reformave për vendosjen e shtetit të së drejtës, për përmirësimin e jetës së qytetarëve, të marrëdhënieve me fqinjët, përfshirë dhe zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, tha kryetari Ahmeti, pas zgjedhjeve do të fitojë për nga intensiteti: ‘Ju të gjithë e dini që kanë sharë, kanë shpifur kundër nesh. Unë të gjithë njerëzve të BDI-së u kam bërë thirrje – të mos merremi me sharjet, të mos merremi me fyerjet! Se sharjet, fyerjet, nuk na çojnë përpara, hasmëritë nuk na çojnë përpara! Të shohim, të kapemi pas temave të rëndësishme. Unë me shumë kujdes i dëgjoj oponentët, partitë tjera. Unë nuk dua të bëj armiq! Çka thonë ata, çka ka të vërtetë tek ata?’- pyeti lideri i shqiptarëve në Maqedoni duke nënvizuar se ata nuk është se janë konsoliduar dhe posedojnë program e vizion të rëndësishëm: ‘Vërtet, dua që skena politike ndër shqiptare të forcohet, të stabilizohet, sepse kur ke parti politike të organizuara mirë, të profilizuara, të etabluara, është dobi për njerëzit, po të thuash të pavërteta, lajme të rrejshme, gjithë ditën, dhe të mendosh që fiton, kjo nuk është në rregull,’ – nënvizoi kryetari Ahmeti duke hedhur poshtë pretendimet se ai është për shuarje e partive të tjera: ‘Nuk jam për këtë, ama shqiptarëve nuk ju duhen dhjetë parti. Mjaftojnë vetëm dy  që të korrigjojnë njëra- tjetrën. Kush është më i zoti, kush ka program më të mirë, le të fitojë e tjera ta korrigjojë!’- argumentoi ai i shoqëruar nga duarëtrokitjet frenetike të të pranishmëve.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në tubimin e mbajtur në fshatin Negotinë të Komunës së Vrapçishtit, në mbështetje të kandidatit Gajur Rushiti,u është përgjigjur akuzave të opozitës për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni: ‘Një pjesë thotë – shqiptarët të diskriminuar, shqiptarët nuk kanë asnjë të drejtë! Po nuk fitohet vota kështu, sepse shqiptari edhe shikon: një komb me dy universitete në këtë vend, nuk mund të jetë i margjinalizuar!’- deklaroi lideri Ahmeti duke tërhequr vërejtjen se kjo nuk do të thotë se nuk ka punë për të bërë, por se BDI-ja është e përkushtuar që atyre t’u shkojë deri në fund.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim është mirëpritur edhe në fshatin Çegran të komunës së Gostivarit. Me këtë rast ka çmuar rolin prej atdhetari të dr Imer Imerit të ndjerë për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit që është nga ky vendbanim, por edhe ka shprehur bindjen se Nevzat Bejta ka për të ngadhënjyer bindshëm në zgjedhjet e së dielës. Zoti Ahmeti ka folur me optimizëm se pas zgjedhjeve lokale Maqedonia dhe Greqia do t’ia dalin të zgjidhin kontestin  lidhur me emrin gjë që, tha ai, do të përshpejtojë integrimin euro-atlantik të vendit: ‘Po kjo nuk mund të bëhet vetëm me llafe, bëhet me punë, se llafet I merr era e veprat mbeten!’- tha z. Ahmeti.

Edhe gjatë ditës, kryetari Ahmeti me bashkëpunëtorë do të vazhdojë vizitat në komunat ku zhvillohet balotazhi i zgjedhjeve lokale për të shpreh përkrahjen e plotë për kandidatët e BDI në mënyrë që të rikonfirmohet fitorja e madhe e rrethit të parë zgjedhor më 15 tetor.