Kandidati fitues për komunën e Zhelinës, Fatmir Izairi sërish ka falënderuar të gjithë banorët e komunës për mbështetjen e madhe që ia dhanë me 15 tetor. Ai në një status të tij thotë se banorët e Zhelinës nuk duhet të ndahen dhe etiketohen si tradhëtarë nëse nuk ta japin votën, vendimarrja është në vullnetin e tyre. Izairi i çon selam kundërkandidatit që mos cënojë lirinë e njerëzve dhe mos të bëjë presione psiqike mbi votuesit.

Ne nuk i ndajmë dhe etiketojmë qytetarët në tradhëtarë të vendbanimit të tyre nëse nuk janë të orientuar në përkrahje të programit tonë, por përdorim argumentet e panumërta të sukseseve tona, ndërsa vendimarrja për përkrahje mbetet në vullnetin e tyre. Lus palën konkurruese, të mos cenojë lirinë e njerëzve, të mos kryhen presione psiqike dhe kërcënime fizike, njëherit edhe “tenderokratët” për të cilat flisni, janë në anën tuaj. Është për të ardhur keq, kur autori i dhunës dhe presionit, e luan rolin e viktimës, sidoqoftë përsëri sovrani është ai që i kupton më hollësisht këto role” ka shkruar Izairi

Sipas Fatmir Izairit shërbimet e arsimit, administratës dhe policisë, janë shërbime publike,  të akuzosh se këta kanë keqpërdorur detyrën si aktivist partiak, nuk rezulton domethënëse kur pikërisht në vendbanimin e udhëheqësit të policisë ka fituar vetëm 13 vota për të cilët është  shumë mirënjohës, po ashtu edhe për qytetarët tjerë të atij vendbanimi që në të kaluarën me vullnetin e lirë e kanë përkrahur.

Populli jonë ka dëshmuar edhe në të kaluarën, se nuk e duron trysninë, frikën, përçarjen, imponimin, kërcënimin, dëbimin nga vendbanimi nëse nuk të zgjedh me votë, e aq më pak etiketimet që prekin thellësisht ndjenjat njerëzore. Populli nuk e gëlltit lehtë arratisjen nga liria, e cila është e shenjtë dhe e drejtë për çdo krijesë, kështu që as kësaj radhe atë nuk mund ta cenojë askush, pavarësisht përpjekjeve” ka theksuar Fatmir Izairi duke  thënë se “Unë mbetem me popullin tim, Populli mbetet me mua, i bashkuar, i lirë dhe i barabartë“.