Kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, bëri sot thirrje nga Tunizia për një “plan Marshall” për Afrikën dhe njoftoi synimet e tij për të mobilizuar 40 miliardë euro në buxhetin e ardhshëm evropian për periudhën 2020-2026.

“Me 40 miliardë euro dhe një veprim edhe më të fortë nga Banka Evropiane e Investimit, është krejtësisht e mundur të ndryshohet fati i Afrikës”, vlerësoi ai para Parlamentit tunizian, duke e cilësuar këtë si një efekt levë që përkthehet në 400 miliardë euro për zhvillimin e kontinentit.

“Evropa duhet të zgjedhë një plan të vërtetë Marshall për Afrikën, që do të thotë të bëhen investime. Kjo nuk është një dhuratë”, theksoi ai para medias, përcjell Atsh.

“Objektivi i këtij plani është që të ndërtohen infrastruktura, të ndihmohen SME-të (Sipërmarrjet e Vogla dhe të Mesme) dhe të shndërrohen afrikanët e rinj në sipërmarrës”, vazhdoi presidneti i Parlamentit Evropian.