Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka theksuar se qeveria qendrore e Irakut me hapat e hedhura së fundmi ka pastruar pothuajse gjithë Irakun nga organizata terroriste DEASH, duke shtuar se Turqia është e gatshme për të vazhduar çdo luftë të përbashkët, raporton Anadolu Agency (AA).

“Të gjithë ne i dimë shqetësimet në rajon. Kemi pasur bisedime të gjëra edhe mes delegacioneve, ku kemi vlerësuar hapat që mund të hedhim në proceset e mëpasshme në fushat politike, ushtarake, por edhe ato ekonomike, tregëtare dhe kulturore”, ka thënë Erdoğan pas takimit me kryeministrin e Irakut, Haider al-Abadi në rezidencën presidenciale në Ankara.

Duke vënë në dukje se nuk kanë ndryshuar qëndrimin kundër vendimit të Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut (ARK) për referendumin e paligjshëm dhe se që në fillim kanë qenë në favor të integritetit territorial në Irak, Erdoğan theksoi: “Edhe pas kësaj, ne do të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë. Është e pamundur që ta pranojmë këtë, ku pavarsisht se herë pas here kemi bërë edhe paralajmërime, nuk ka pasur ndonjë zhvillim pozitiv për këtë dhe ne jemi detyruar të vendosim disa sanksione. Me hapat që kanë hedhur së bashku Turqia, Irani dhe Iraku, besoj se kemi ardhur në një pikë pozitive”.

“Ne jemi dy vende që bartim të njëjtat vlera të qytetërimit”

“Ne jemi dy vende që bartim të njëjtat vlera të qytetërimit. Fatkeqësisht, Iraku ka marrë shumë goditje. Veçanërisht, shihet gjendja ku ka ardhur Mosuli. Por edhe Kirkuku, Telaferi janë në të njëjtën gjendje. Gjithashtu edhe në Enbar janë përjetuar të njëjtat gjëra. Organizata terroriste e quajtur DEASH ka shkatërruar të gjithë këto vende duke arritur pothuajse deri në Bagdat”, tha presidenti turk, duke vënë në dukje se lidhjet fqinjësore dhe vëllazërore janë shumë të përparuara në çdo drejtim.

“Qeveria qendrore e Irakut, me hapat e vendosura të hedhura së fundmi, përveç një pjese prej rreth 15-20 përqindësh, ka pastruar pothuajse të gjithë Irakun nga organizata terroriste DEASH. Besoj se edhe kjo pjesë e mbetur do të pastrohet nga organziata terroriste DEASH. Natyrisht, jemi në dijeni se edhe organizata terroriste PKK, duke përfituar nga kjo situatë, ka një strukturim të ngjashëm në Irak. Bëhet fjalë për prani të PKK-së në rajonet si Kandili dhe Sinxhari. Si Turqi, ne jemi të gatshëm për të vazhduar me solidarizim luftën e përbashkët” u shpreh presidenti Erdoğan.

Ndër të tjera, Erdoğan uroi rindërtimin e të gjitha rajoneve që kanë përjetuar rrënime në Irak.

“Edhe ne shpresojmë se do të japim mbështetjen tonë sipas mundësisë që kemi. Do të hedhim hapat e nevojshëm edhe për paqen dhe qetësinë e rajonit”, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.