Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare prezantoi një ekspozitë multimediale në internet që tregon për vuajtjet e fëmijëve gjatë luftërave në ish-Jugosllavi dhe gjenocidit në Ruanda.

Ekspozita e titulluar “Fëmijë në konflikt – Prova nga Gjykatat Penale Ndërkombëtare”, e cila u hap sot, tregon sesi fëmijët shpesh përzgjidheshin si shënjestra torture, dhune seksuale, zhvendosjeje me dhunë, vrasjeje dhe shfarosjeje gjatë konflikteve në Ballkan dhe në Ruanda.

Ekspozita përfshin një përzgjedhje dëshmish, fotografish dhe materialesh audio-vizuale që janë përdorur si dëshmi në Gjykatat Penale Ndërkombëtarë në ish-Jugosllavi dhe Ruanda.

Ajo synon të tregojë rëndësinë e gjykatave ndërkombëtare dhe atyre vendore për gjykimin e personave përgjegjës për krime kundër fëmijëve dhe civilëve të rritur.

“Ndërsa fëmijët dhe civilët e tjerë vazhdojnë të jenë shënjestra e dhunës sistematike në konfliktet anembanë botës, ne kujtojmë rëndësinë e sigurimit të respektimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare, e cila u ofron mbrojtje atyre, përfshirë fëmijëve, të cilët nuk marrin pjesë në konflikt,” tha në një deklaratë kryetari i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, Theodor Meron.

“Gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në afirmimin e qëllimit dhe zbatimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe për të sqaruar se shkeljet e ligjit nuk duhet të mbeten pa u trajtuar,” shtoi Meron.

Ekspozita përfshin një album me fotografi nga qyteti boshnjak i Foçës që përshkruan sallën sportive Partizani, ku janë kryer krime kundër civilëve, si edhe pjesë të dëshmive të dëshmitarëve në Gjykatën e Hagës.

Njëra prej tyre është nga një grua e cila u ndalua në sallën sportive në moshën 15 vjeçare dhe u përdhunua disa herë në vende të ndryshme në Foça.

Një tjetër është nga Muhamed Kapetanoviq, një djalë që i mbijetoi një masakre gjatë një shëtitjeje në lagjen Alipasino Polje në Sarajevë në janar 1994.

“Ne po shëtisnim dhe krejt papritur dëgjuam shpërthime me granata. Ne e dinim që ata ishin afër, sepse shpërthimet ishin të mëdha,” kujton ai gjatë dëshmisë.

“Ne u trembëm dhe filluam të vraponim. Para se të mund të hynim në ndërtesën tonë, një granatë shpërtheu para nesh. Danijel Juraniq u vra. Unë u plagosa në këmbë, kokë dhe krahë. Admir dhe Elvir Hoxhiq u plagosën gjithashtu,” shton ai.

Ekspozita përmban gjithashtu regjistrime audio të dëshmive të të mbijetuarve të dhunës së kohës së luftës nga Kotor-Varoshi dhe Srebrenica në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ajo kërkon të theksojë se praktikat e Gjykatës së Hagës kanë kontribuar në forcimin e mbrojtjes së fëmijëve në konflikte të armatosura dhe thotë se viktimat e moshës së re dhe brishtësia e tyre konsiderohej si një rrethanë rënduese kur merreshin vendime për dënimin e autorëve./Birn/