Orientimi i Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s është real dhe në këtë kontekst Rusia nuk mund të jetë opsion. Kështu vlerëson ish ambasadori Risto Nikovski, sipas të cilit askush në vend nuk është i orientuar pro Rusisë.

Rusia nuk është opsion, nuk është alternativë e perspektivës, interesit, dëshirës dhe aspiratës sonë euro-atlantike. Mendoj se ky është një realitet në të cilin jetojmë dhe të gjitha spekulimet dhe manipulimet se Rusia vjen, se dikush në Maqedoni është I orientuar pro-Rusisë, se do ndonjë bashkim me Rusinë dhe ngjashëm janë spine, trillime joreale – tha Risto Nikovski, Ish ambasador në Rusi.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit, Zoran Zaev se Maqedonia ka zgjedhur rrugën e BE-së dhe NATO-s dhe se me Rusinë do të mbeten vetëm miq, ish gazetari, Mirçe Adamçevski vlerëson se Maqedonia mund të ecë drejt BE-së, por njëkohësisht duhet t’i ruajë edhe marrëdhëniet me Rusinë.

Adaçevski kujtoi se ndikimin që Rusia e kishte gjatë periudhës së mëparshme ishte rezultat ibashkëpunimit që Qeveria e mëparshme VMRO DPMNE dhe BDI kishte me Rusinë. Sipas tij me Qeverinë e re pritet të ndryshojë edhe sjellja e Rusisë ndaj nesh.

Rusia e nxitur nga bashkëpunimi me Qeverinë e mëparshme kishte politikën e saj ndaj Maqedonisë. Megjithatë u dëshmua se ajo politikë ishte e gabuar dhe tani me ndryshimet që ndodhën, që shohim se Qeveria e re ka qëllime të reja, politikë të re, mendoj se edhe Rusia së shpejti do ta ndryshojë sjelljen e saj –  theksoi Mirçe Adamçevski, ish gazetar.

Një raport i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, ka konstatuar se gjatë kohës kur në pushtet ishte VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja, në Maqedoni vepronte FSSB-ja, apo ndryshe e njohur si Fondi Publik ndër-regjional për Promovimin (përparimin) në Strategjinë e Sigurisë, me seli në Moskë. Kjo organizatë është formuar në vitin 1998 nga anëtarë të shërbimit rus të asaj kohë, KGB-së në të cilën tani marrin pjesë edhe agjentë aktual të Shërbimit Federal për Siguri i Federatës Ruse. i njëjti fond funksionon edhe në Serbi, Bullgari dhe Greqi./alsat-m